Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi dje nga detyra gjyqtarin e Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca, për shkak të problemeve të shumta me pasurinë.
Vendimi u mor nga Xhensila Pine, Olsi Komici dhe Suela Zhegu.
Gjatë hetimit administativ, KPK gjeti probleme me deklarimin e pasurisë për të paktën dy apartamente, dy garazhe, një sipërfaqe trualli në Tiranë, një apartament në Shkodër dhe një apartament në Sarandë.
Gjyqtari Përnoca ka deklaruar se ka blerë një apartament me sipërfaqe 108 metra katrorë dhe dy garazhe në total 38 metra katrorë në Tiranë, me anë të një huaje nga një sipërmarrës.
Më pas Përnoca ka deklaruar se ja ka shlyer huanë sipërmarrësit, por nuk ka paraqitur dokumente për të vërtetuar këtë gjë.
Po ashtu KPK ka gjetur se me të njëjtin apartament janë kryer disa transaksione të dyshimta para se ai të kalonte në pronësi të Përnocës dhe se çmimi për metër katrorë është më i ulët se sa çmimi i referencës.
KPK gjeti probleme dhe me blerjen e një apartamenti me vlerë 1,9 milionë lekë në Golem në vitin 2005. Gjashtë muaj pasi e ka blerë, gjyqtari e ka shitur apartamentin për 3,4 milionë lekë. Pak kohë më vonë, pronari i ri i apartamentit e ka shitur sërish apartamentin për 1,9 milionë lekë.
Po ashtu, KPK gjeti mangësi dhe në deklaratat për çmimin dhe sipërfaqen e ndërtimit në një tokë truall të blerë në vitin 1998. Gjyqatari ka deklaruar se në këtë tokë ka një ndërtesë me sipërfaqe 75 metra katrorë, por sipas të dhënave nga hetimi i KPK-së, sipërfaqja e ndërtesës është 158 metra katrorë.
Në vitin 1997, gjyqtari Përnoca ka privatizuar dhe një shtëpi në Shkodër, duke përfituar nga statusi si i pastrehë. Ai ka paguar 1,2 milionë lekë për shtëpinë, ndërkohë që pas pesë ditësh e ka shitur për 30 mijë dollarë dhe për këtë shitje nuk ka paguar tatimet.
Po ashtu, KPK hodhi dyshime për blerje-shitje fiktive të një apartamenti në Sarandë me vlerë 20 mijë euro, të cilin e ka blerë me çmim më të ulët se sa ai i referencës dhe e ka shitur me çmim më të lartë.