Vettingu, dekriminalizimi dhe një çadër pa flamuj

Nga Karl Kuçi
Vettingu, dekriminalizimi dhe një çadër pa flamuj

Për muaj të tërë, i gjithë debati politik në Shqipëri është vërtitur rreth reformës në drejtësi dhe synimit për të pastruar sistemin gjyqësor nga gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Duke pastruar drejtësinë, më pas do të pastrohej dhe politika.

Në fakt ky është një proces “i ftohtë” që nuk ka marrë kurrë parasysh sesi është e mundur që politika shqiptare është aq e zhytur në tregimet e korrupsionit dhe aq e afërt me botën e krimit. Siç është përmendur nga shumë vëzhgues, që janë injoruar tërësisht në të kaluarën kur kanë folur, para se të imponohet një mekanizëm për pastrim do të ishte e nevojshme të gjendej një konsensus politik, një vendim unanim, për të ndaluar përdorimin e banditëve, deri atëherë të nevojshme për të “konsoliduar” të gjitha rezultatet e mundshme zgjedhore.

Këtu qëndron çështja: prej shumë vitesh banditët, dhuna dhe armët janë i vetmi instrument i cili garanton rezultatin e zgjedhjeve; në qoftë se një parti nuk ka një forcë “ushtarake” (dmth ose policinë, ose banditët). Arsyeja, argumentet dhe votat zhduken gjatë procesit zgjedhor. Kësaj i shtohet edhe fenomeni i shitblerjes së votave, i cili rrezikon të përhapet më shumë me praninë e kaq shumë aktiviteteve të trafikut të drogës. Dhe për të kontrolluar banditët, duhen kontrolluar gjyqtarët, të cilët duhet të jenë në gjendje ose t’i lirojnë ose t’u japin imunitet. Këtu është çështja, gjithë të tjerat janë fjalë në ajër.

Tani tensionet për të përcaktuar këtë proces kanë arritur kulmin, me sa duket duke marrë një rrugë pa kthim.

Partia Demokratike ka nxjerrë në shesh mijëra njerëz pa hedhur asnjë shashkë apo pa bërë asnjë përleshje. Tani mbikëqyr çadrën e saj, të quajtur “tenda e lirisë”, duke kërkuar qeveri teknike si garanci e vetme e mundshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Kryeministri Rama, nuk mund të “çmontojë” protestën pa rrezikuar aksidentet që do të ishin fatale në aspektin politik. Ai po përpiqet të zbusë efektin e protestës duke përqeshur e duke akuzuar PD-në se do të shmangë vetting-un e gjyqtarëve, faza e parë e reformës në drejtësi që duhet të përjashtojë nga gjyqësori të gjithë ata që kanë histori të korrupsionit, ose më keq, të krimit.

Kryeministri ndërkohë shfaqet publikisht me një deputet të maxhorancës për të cilin është kërkuar heqja e mandatit për shkak të precedentëve penalë, për më tepër jo të përmendur në formularin e dekriminalizimit.

Partia Demokratike pretendon të bojkotojë parlamentin derisa të zgjasë protesta, pra derisa Rama të japë dorëheqjen, duke liruar rrugën për një qeveri teknike, por duke bojkotuar Parlamentin nuk do të mund të votohen ligjet e nevojshme për të reformuar sistemin e drejtësisë, dhe sidomos nuk mund të caktohet komisioni që duhet të menaxhojë procesin e vetting-ut, i cili në këtë mënyrë do të bllokohet plotësisht.

Partia Socialiste dhe zyrat e qeverisë vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta bërë joefektive ligjin për dekriminalizimin, efekti i menjëhershëm i të cilit, për shkak të një numri të madh të deputetëve socialistë me precedentë penalë, pra në prag të heqjes së mandatit, do të jetë për të ndryshuar shumicën në parlament, duke e bërë të pamundur shpëtimin parlamentar me anë të blerjes së votave, nëse Meta tërheq mbështetjen e tij për koalicionin qeveritar.

Paradoksalisht kjo është e mundur sepse heqja e e deputetit socialist Armando Prenga, i zgjedhur në qarkun e Lezhës, do të fuste në vendin e tij në parlament një deputet të LSI-së. Kjo për shkak se Partia Socialiste e ka shteruar listën e kandidatëve të saj pasi iu hoqën të gjithë emrat (të shkaktuar nga proçesi i dekriminalizimin dhe çështje të tjera penale) dhe nga dorëheqje të detyruara.

Ndërkohë, kryeministri Rama duket i përqëndruar në hapjen e ekspozitës së tij të skulpturave në Firence, të planifikuar për 25 shkurt, ndërsa aleati i tij kryesor i koalicionit Ilir Meta, që konsiderohet nga të gjithë si “king maker” i vërtetë, vazhdon të heshtë.

Këto janë fakte të përmbledhura në thelbin e tyre.

Në njërën anë një qeveri e konsumuar, tani jo më në gjendje të propozojë një perspektivë ekonomike dhe politike për vendin, që e lidh çdo gjë me reformën e drejtësisë, e mbështetur së paku me forcë nga të gjithë, në përpjekje për të detyruar faktorë të tjerë politikë të dorëzohen para një sistemi bazuar në një politikë gjithnjë e më bashkëpunëtore ndaj banditëve dhe trafikantëve të drogës. Deri në atë pikë e mbështetur, sa tenton të mos  aplikojë atë ligj për dekriminalizimin se do të mund të eleminonte anëtarët e partisë, dhe do të nxjerrte në pah mbivendosjen e interesave kriminale të këtyre politikanëve.

Nga ana tjetër partitë me një të kaluar jo aq të pastër, janë duke u përpjekur për tu ripërtërirë si në udhëheqje ashtu edhe në imazh,të cilët thonë se kanë për qëllim për të përfunduar reformën e gjyqësorit, por akuzojnë qeverinë se i ka manipuluar për të marrë kontrollin e gjyqësorit për qëllime politike.

Rama pret që protestuesit të lodhen dhe të shkojnë në shtëpi, pasi ai blen votat e disa parlamentarëve të hetuar apo atyre që nuk mund të kandidojnë më, duke mbërritur në zgjedhje në gjendje për të kontrolluar votën.

Basha pret që politikanët e tjerë t’i afrohen protestës në atë tendë të lënë qëllimisht pa flamuj të partisë për të filluar një proces pastrimi të vendit duke nisur nga një marrëveshje politike me një spektër të gjerë dhe jo nga një lojë kriminale të pushtetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>