Dhjetëra mijëra qytetarë bjellorusë janë mbledhur të djelën në Minsk në protestën më të madhe nga nisja e demostratave pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të një jave më parë.
Protesta u nxit edhe më shumë nga dhuna e ushtruar gjatë kësaj jave nga policia bjelloruse ndaj protestuesve, që u ngritën pas shpalljes së fituesit Aleksandër Lukashekno me 80% të votave.
Në një bisedë telefonike, presidenti rus Vladimir Putin ka treguar gatishmëri për ndihmë ushtarake, nëse kjo do të ishte e nevojshme.
Ndërsa zhvillohej protesta, Lukashenko duke folur në një miting pro-qeveritar përpara mbështetësve të tij, bëri deklarata kërcënuese ndaj atyre që këkojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti.
“Nëse shkatërroni Lukashenkon, ky do të jetë fillimi i fundit për ju”, ka thënë presidenti bjellorus që mban postin prej 26 vitesh.
Kundërshtarja politike e Lukashenkos në zgjedhjet e javës së kaluar, Svetlana Tikhanovskaya, e cila u largua drejt Lituanisë fqinje pas kërcënimeve ndaj fëmijëve të saj, i bëri thirrje qytetarëve të protestojnë në fundjavë.