Vijojnë reshjet, izolohet fshati në Mamurras, rruga dhe ura të pakalueshme

Nga Exit News
Vijojnë reshjet, izolohet fshati në Mamurras, rruga dhe ura të pakalueshme

Reshjet e shiut kanë vazhduar pothuaj në gjithë vendin dhe gjatë natës, duke përkeqësuar situatën në shumë qarqe.

Në Mamurras, një fshat është izoluar pasi rruga dhe ura që e lidhin atë me pjesën tjetër të qytetit janë dëmtuar rëndë.

Exit News sjell më poshtë një përditësim të situatës së përmbytjeve në vend:

Lezhë

Rreth 27 familje janë evakuuar në Lezhë, pasi banesat e tyre u përmbytën. Situata paraqitet më e rëndë në Gjorm, Tresh, Zadrimë, Torovicë dhe Spiten, ku rreth 2800 hektarë tokë janë përmbytur.

Po ashtu, rruga për në fshatin Shpërdhet në Mamurras është shembur, si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Po ashtu dhe këmbët e urës së fshatit janë dëmtuar rëndë, duke rrezikuar shembjen. Ura është ndërtuar dy vite më parë, por nuk i ka rezistuar prurjes së lumit Droje.

Fshati është izoluar totalisht, pasi dhe ura dhe rruga që e lidhin atë me pjesë tjetër të qytetit janë bërë të pakalueshme.

Elbasan

Lumi i Shkumbimit rrezikon të dalë nga shtrati, pasi reshjet e shtuara gjatë natës kanë bërë që prurjet në Shkumbin të rriten shumë.

Dalja e tij nga shtrati rrezikon përmbytjen e shumë tokave dhe shtëpive përreth.

Shkodër

Sipas njoftimit të fundit të Bashkisë Shkodër, rreth 1,500 hektarë tokë janë përmbytur.

Në Njësinë Administrative Ana Malit vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta. Rruga e Obotit është e kalushme vetëm me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80cm.

Po ashtu vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj.

Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>