Vijon djegia e pyjeve gjatë stinës së verës, situata e pandryshuar nga viti në vit

Nga Exit News
Vijon djegia e pyjeve gjatë stinës së verës, situata e pandryshuar nga viti në vit

Prej 5 ditësh Kurora me Pisha në Malin e Tomorrit, e cila është zonë e mbrojtur, vijon të digjet pasi flakët nuk janë shuar dot nga zjarrfikësit edhe me ndihmën e helikopterëve.

Sipas Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Beratit, deri tani janë djegur rreth 23 hektarë pyll me pisha si dhe disa vendbanime të kafshëve të egra.

Ditën e sotme është raportuar se edhe në Kurbin ka rënë zjarr, duke djegur shkurre, pemëtari dhe pyje pranë fshatit Shëmri duke rrezikuar edhe linjën e transmetimit të energjisë elektrike.

Zjarr ka rënë në disa kullota në afërsi të Malit të Gjerë në Gjirokastër ndërsa është djegur një stan bagëtish në vendin e quajtur Blënjë.

Disa ditë më parë flakët përfshinë një parcelë me qindra rrënjë ullinj dhe vreshtari në Volloder të Sarandës.

Një sipërfaqe toke kullotash u dogj gjithashtu në zonën e Lunxhërisë në Gjirokastër ndërsa pre e flakëve ra një javë më parë edhe Pylli me Pisha në Krujë ku u dogjën 5 hektarë tokë.

Situata e zjarreve duket se përsëritet nga viti në vit megjithëse nga ana e qeverisë premtohet marrja e masave.

Rritja e temperaturave shoqërohet me djegien e qindra hektarëve tokë në gjithë vendin duke shkaktuar edhe dëme të mëdha natyrore.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako u shpreh një ditë më parë për Report TV se zjarret janë të qëllimshme dhe për disa prej tyre ka pasur të arrestuar.

Të njejtën deklaratë ai ka bërë edhe në 3 gusht të vitit të kaluar kur kërkoi bashkëpunimin me strukturat vendore të policisë për kapjen e autorëve.

Sipas AKMC, në 2020 u dogjën rreth 600 hektarë tokë, gjysma e të cilave në muajn korrik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>