Vjedhja e votave, hetimi i transferohet prokurorisë së Dibrës, që drejtohet nga familjarja e të akuzuarit kryesor

Vjedhja e votave, hetimi i transferohet prokurorisë së Dibrës, që drejtohet nga familjarja e të akuzuarit kryesor

Dosjen për bashkëpunimin kriminalo-politik për blerjen e votave në Dibër do ta hetohet nga prokuoria e Dibrës, e cila drejtohet nga gruaja e kushëririt të parë të një prej personave kryesorë nën hetim.

Para rreth dy muajsh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndërprerë hetimin e njohur si “Dosja 184” për mungesë kompetence dhe ia ka kaluar hetimin prokurorisë Dibër.

Prokuroria Dibër drejtohet nga Esmeralda Keshi (Cami), kunata e Arben Keshit, drejtorit të Ministrisë së Brendshme, i kapur në përgjimet e prokurorisë si person kyç në skemën e shit-blerjes së votave dhe frikësimit të qytetarëve për të votuar kandidatin socialist, në zgjedhjet vendore 2016 në Dibër.

Lidhjen familjare mes Esmeralda Keshit dhe Arben Keshit e ka raportuar së pari BoldNews.al, pas një vëzhgimi në regjistrin e gjendjes civile, i cili  zbuloi se Arben Keshi është djali i xhaxhait të Gentjan Keshit, bashkëshortit të Esmeralda Keshit.

përgjimet e bëra publike nga gazeta gjermane BILD, Arben Keshi, në atë kohë drejtor në Ministrinë e Brendshme, dëgjohet në disa biseda:

  • me Kryeministrin Rama, të cilit i jep llogari për komisionerët e PS-së në votime;
  • me votuesit ku bën pazare për blerje votash;
  • me drejtorin e arsimit në Dibër, të cilin e urdhëron t’i presion të gjithë mësuesve se nëse nuk votojnë për PS-në do të shkarkohen nga detyra;
  • me Sali Skurën, Shef tek Komisariati i Policisë Nr.5 në Kamëz, të cilit i kërkon të ndalojë votuesit e PD-së që jetojnë në Kamëz, por që kanë ende të drejtë vote në Dibër.
  • me ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri i cili e lajmëron Keshin se po i dërgon tek shtabi disa “tipa problematikë’, që t’i këtë për çdo rast”.

Nga telefonatat e Arben Keshit duket se Partia Socialiste në Dibër kishte ngritur një sistem të organizuar për blerjen e votave me dijeninë e Kryeminstrit Edi Rama.

Por kalimi i dosjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për hetim në prokurorinë Dibër, ngre pikëpyetje serioze për paanshmërinë dhe seriozitetin e hetimeve.

Transferimi i hetimeve të rëndësishme po bëhet praktikë e zakonshme. Të njëjtin fat ka pasur më parë dhe dosja e 613 kilogramëve kokainë kapur në Durrës. Fillimisht dosja u hetua nga prokuroria e Krimeve të Rënda, por në prill 2018 Prokuroria shpalli moskompetencë për hetimin dhe ia kaloi atë Prokurorisë së Durrësit, pasi rasti u regjistrua vetëm si “trafik i lëndëve narkotike” dhe jo “grupim i strukturuar kriminal”.

Pas disa muajsh hetimesh, prokuroria e Durrësit arriti në përfundimin se 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kokainës e trafikuar ndonjëherë në Shqipëri, u trafikuan vetëm nga një person, Arbër Çekaj, i cili është dhe i akuzuari i vetëm për këtë dosje.

Në mënyrë të ngjashme me rastin e kokainës në Durrës, edhe në rastin e Dibrës, si justifikim për dërgimin e dosjes nga Krimet e Rënda në prokuroritë e rretheve janë bërë ndryshimet e Kodit Penal, bërë në 2017, dhe ristrukturimi i prokurorive si pasojë e reformës në drejtësi.

Me ndryshimet e reja, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të shndërrohet në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), procedurat për formimin e së cilës kanë nisur.

SPAK do të hetojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.

Ndërkohë të tjera çështje të rëndësishme si trafikimi i lëndëve narkotike dhe bashkëpunimet kriminalo-politike për vjedhjen e votave do të hetohen nga prokuroritë e rretheve, ku me shumë gjasa do të zvarriten me vite të tëra, derisa të mbyllen për mbarim të afateve ligjore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>