Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani caktoi për datën 22 mars për mbledhjen e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 14 prillit, njoftoi Radio Evropa e Lirë.
“Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”,njoftoi zyra e Presidentes.
Ky njoftim vjen pasi Osmani dhe Kurti takuan përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të diskutuar mbi krijimin e institucioneve të reja.
KQZ certifikoi javën e kaluar rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 deputetë në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.
Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti.
Kurti ka thënë se do ta krijojë qeverinë në koalicion me partitë e komuniteteve joserbe.