Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani ka kundërshtuar të mërkurën deklaratat e përfaqësuesit të Posaçëm të BE Mirosllav Lajçak për dialogun Kosovë Serbi, duke u shprehur se ndjen keqardhje për këtë qëndrim, raporton REL.
Mirosllav Lajçak tha të martën se nëse Serbia ndryshon qëndrim ndaj Kosovës kjo do të ndikonte edhe tek vendet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Vjosa Osmani është shprehur se kjo deklaratë është e rrezikshme dhe ka theksuar se BE nuk duhet të bazohet në dëshirat e Serbisë në qasjen që ka ndaj Kosovës.
Osmani ka deklaruar:
“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”.
Ajo u ka bërë thirrje shteteve të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën.
Pesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia.
Lajçak të martën gjatë një video konference me ambasadoren gjermane në SHBA Emily Haber bëri këtë deklaratë për dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani ishte në një vizitë në Bruksel ku u takua me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, me komisionerin për zgjerimin Oliver Varhelyi.
Po ashtu ajo u takua dhe me Lajçak. Në Twitter ajo shkroi:
“U takova me Miroslav Lajcak sot ne Bruksel. Diskutuam zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe sfidat që priten përpara. Gjithashtu, folëm për zgjedhjet e ardhshme të Kosovës dhe rëndësinë e tyre kryesore për të ardhmen e Kosovës”.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqëm nga Qeveria e Hotit, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Deri më tani palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, por bisedimet shpeshherë janë ndalur dhe ende nuk ka një dakordësi përfundimtare.