Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë detyrën e Presidentit pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, pas konfirmimit të aktakuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës.
Marrja e detyrës nga Osmani bazohet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës për mungesën e përkohshme të presidentit:
“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.”
Kushtetuta gjithashtu specifikon që pozita e Presidentit të Përkohshëm të Republikës së Kosovës “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dorëheqjen të enjten pasi u njoftua që aktakuza për krime lufte kundër tij u konfirmua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.