Ish-deputetja e PD-së Vokshi, akuzoi sot Kryeministrin Rama se nuk po e shkarkon kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla pasi edhe vetë është përdorues droge. Për këtë Vokshi argumentoi faktin se në një çështje gjyqësore që ka me Ramën, ai ka refuzuar 4 herë të kryejë testin e drogës:
“Edi Rama nuk e shkarkon kryebashkiakun përdorues të kokainës, sepse ka hallin e tij personal me kokainën, […] në përballjen që unë kam me të në gjykatë, Rama refuzon të bëjë testin e drogës. Me seancën e sotme numri i refuzimeve nga ana e tij shkon në katër.”
Alla u denoncua me video nga gazetari Artan Hoxha se kishte marrë kokainë në publik. Çështja po hetohet nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, por ndërkohë ai mbetet në detyrë.
Ish-deputetja Vokshi rikujtoi se Kryeministri Rama kundërshtoi propozimin e opozitës që bashkë me dekriminalizimin të futej edhe testi i drogës për politikanët:
“[…] pika e vetme e rëndësishme me të cilën Edi Rama nuk ka ra dakord gjatë hartimit të ligjit të dekriminalizimit, ishte testi i drogës nga politikanët. Edi Rama ka frikë nga testi i drogës si djalli nga temjani, prandaj vazhdon ta refuzojë duke përdorur çdo mjet dhe mënyrë. Një kryeministër që merr vendime të rëndësishme nën efektin e drogës është një rrezik i madh për vendin dhe qytetarët e tij, prandaj, Edi Rama duhet të lejojë gjykatën që të bëjë transparencë.”
Vokshi tha se çështja për të cilën është paditur nga Rama ka të bëjë me koncesionin e shërbimit të checkup-it në shëndetësi. Ajo i kërkoi Kryeministrit publikimin e kontratës koncesionare të cilën qeveria e ka klasifikuar si “sekret tregtar”.
“Herët a vonë, sekreti i Edi Ramës do të zbulohet. Partia Demokratike do ta anulojë këtë koncesion. Ata që kanë vjedhur me vulën e qeverisë së tij do të dalin para drejtësisë dhe shqiptarëve do t’u kthehen paratë e vjedhura.”
Prej kohësh PD ka denoncuar koncesionet abuzive në shëndetësi, ku së fundmi ka deklaruar se koncesionin e checkup-it do ta dërgojë në SPAK. Qeveria ka dhënë me koncesion 4 shërbime shëndetësore, ku përveç checkup-it dhe sterilizimit janë edhe dializa dhe laboratorët. Por pavarësisht akuzave, Kryeministri Rama i mbron koncesionet si politika e duhur dhe më e mirë për shëndetësinë.