“Nuk ka gazetarë kriminelë! Ka Kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë”. Kështu iu përgjigjë Partia Demokratike, përmes Albana Vokshit, akuzave të Kryeministrit Rama ndaj medias.
Zonja Vokshi, në një status në facebook shkruan se:
Për të mbuluar përgjegjësinë direkte për keqmenaxhimin e emergjencës pas tërmetit, Edi Rama ka nisur të sulmojë gazetarët, të cilët përcjellin shqetësimet e vërteta të qytetarëve në zonat e prekura.
Nuk janë kriminelë gazetarët që raportuan njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë se Spitali i Durrësit po evakuohej.
Nuk janë kriminelë gazetarët pse një qytetar u lejua të zhvendoset nga spitali i Durrësit pas dhe, fatkeqësisht, humbi jetën rrugës për në Spitalin e Beratit.
Në emër të Partisë Demokratike, inkurajoj gazetarët të mos intimidohen nga gjuha e dhunshme, e turpshme, e papranueshme e Edi Ramës.