Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkoi që Kosova e Serbia të shtensionojnë situatën në veri të vendit dhe të zgjidhin me dialog mosmarrëveshjet mes tyre.
Von der Leyen gjendet të mërkurën në Kosovë si pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ndërsa po flasim këtu, negociatorët janë në Bruksel duke u negociuar dhe shpresoj të kenë mandat të qëndrueshëm për të negociuar sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur para. Jam thellësisht e bindur që është me rëndësi të shtensionohet situata e të vazhdohet me dialog konstruktiv,” u shpreh Von der Leyen.
Ajo shtoi se ëndërra e sajë është që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së dhe ritheksoi mbështetjen e BE-së në luftën kundër pandemisë e ringjalljen ekonomike për rajonin.
Ndërkohë, kryeministri Kurti bëri me dije se para vendosjes së reciprocitetit mbi targat ishte njoftuar Komisioni Evropian.
Ai theksoi se Serbia, e cila kishte vendosur ushtrinë përgjatë kufirit verior me Kosovën, merrte donacione nga Bashkimi Evropian teksa, njëkohësisht, po militarizohej nga Rusia e Kina.
Kryeministri kosovar konfirmoi se Kosova kishte rënë dakord si për zgjidhje të msmarrëveshjeve me dialog, edhe për propozimin e fundit për zëvendësimin e forcave policore me ato të KFOR-it. Propozime këto që Serbia i kishte hedhur poshtë.
“Në javën e kaluar Serbia ka refuzuar dialogun në Bruksel duke vënë kushte, e këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i. Ne i kemi pranuar të dyja. Kemi qenë shumë gjenerozë dhe të gatshëm për takim për bisedime në Bruksel e në parim jemi dakorduar për propozimin e komandantit të KFOR-it, që pas takimit me neve ka shkuar në takim me katër kryetarët e komunave në veri dhe ata duket se pas konsultimit me kreun e fqinjit tonë verior, kanë refuzuar. Është për të ardhur keq sepse kjo ka ndodhur pas tankeve e MIG-ut në Jarinjë dhe pas djegies së qendrës në Zubin-Potok e bombave në Zveçan. Ne kemi pranuar, por Serbia ka refuzuar,” deklaroi Kurti.
Ndërkaq, Von der Leyen i është shmangur pyetjeve se sa do tolerohej sjellja prej fëmije të lazdruar të Serbisë, duke thënë se “diskutimet e fundit janë dëshmi se sa ka rëndësi dialogu për zgjidhjen e çështjes”.
Presidentja e KE-së u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.