Bashkimi Evropian duhet të gjejë vullnetin politik për të ngritur një forcë funksionale ushtarake e cila mund të ndërhyjë edhe pa mbështetjen e SHBA, tha presidentja e Komisionit Europian të mërkurën, duke i bërë thirrje qeverive të vendeve anëtare për t’u përballur me “konkurrencën e madhe” nga Kina dhe Rusia.
Një muaj pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit, duke e çuar në një tërheqje kaotike të trupave të perëndimit, Ursula von der Leyen përdori fjalimin e saj të përvitshëm mbi gjendjen e unionit për të rritur mbështetjen për një forcë ushtarake mbrojtëse evropiane.
“Evropa mund dhe qartësisht duhet të jetë në gjendje dhe e gatshme të bëjë më shumë vetë,” tha von der Leyen, ish-ministre gjermane e mbrojtjes.
“Ajo që na ka penguar deri më tani nuk janë vetëm mungesa e kapaciteteve, është mungesa e vullnetit politik,” shtoi ajo në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Ndërsa NATO e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka marrë përsipër mbrojtjen ushtarake në Evropë, rritja e Kinës, një Rusi më agresive dhe thirrjet e Uashingtonit për Evropën që të bëjë më shumë për sigurinë e vet, po e shtyjnë bllokun të zhvillojë një politikë të jashtme më të fuqishme.
Duke i bërë jehonë një thirrjeje në vitin 2016 nga paraardhësi i saj Jean-Claude Juncker, von der Leyen tha se BE kishte nevojë për një “bashkim për mbrojtje” që do të koordinonte veprime të përbashkëta ushtarake, duke shkuar përtej fuqisë së saj tradicionale të butë si blloku më i madh tregtar në botë.
Ajo propozoi heqjen e TVSH-së për armët e zhvilluara dhe të shitura në BE nga qeveritë e vendeve anëtare, krijimin e një qendre të përbashkët për të përmirësuar ndarjen e informacioneve dhe përmirësimin e kapaciteteve mbrojtëse kundër sulmeve kibernetike.
Përpjekjet e BE-së për të krijuar një forcë ushtarake të përbashkët janë paralizuar për më shumë se një dekadë, pavarësisht krijimit në vitin 2007 të një grupi ushtarak prej 1 500 trupash që nuk janë përdorur kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi financimin dhe ngurrimit për t’i dërguar.
Por evakuimi i trupave të udhëhequra nga SHBA nga Afganistani e ka kthyer këtë çështje në qendër të vëmendjes.
Gjermania i bëri thirrje Bashkimit Evropian në fillim të shtatorit që të mundësojë një mekanizëm brenda bllokut për të vendosur përdorimin e forcës së përbashkët ushtarake në raste krizash.
Borrell i kërkoi bllokut të krijojë si fillim një forcë prej 5 000 trupash për të zvogëluar varësinë nga Shtetet e Bashkuara në samitin e BRDO Brijunit në Slloveni.
Diplomatët e BE thonë se duan një marrëveshje përfundimtare mbi projektin dhe financimin e mekanizmit deri në mars, kur Franca të marrë presidencën e saj gjashtëmujore në janar.