Ende nuk ka një datë për nisjen e procesit të numërimit të votave të emigrantëve në Kosovë, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Lajmin e dha zëdhënësi i KQZ-së së Kosovës, në një konferencë për median, të martën.
Përveç votave nga diaspora, KQZ-ja nuk ka nisur as procesin e numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Rreth 43,500 pako me fletëvotime nga diaspora kanë arritur në Kosovë, të shtunën, 13 shkurt. Mbi 100,000 qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së tha se ka filluar publikimi i kopjeve të skanuara të formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Ky proces, sipas tij, ka filluar me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi me rreth 48 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.35 për qind.
E treta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.18 për qind dhe në vendin e katërt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind.