Votat e pavlefshme në Njësinë 10 në Tiranë rrisin dyshimet për manipulim

Nga Rezearta Caushaj
Votat e pavlefshme në Njësinë 10 në Tiranë rrisin dyshimet për manipulim

Numërimi i votave të 25 prillit u shoqërua me reagime mbi numrin e lartë të votave të pavlefshme.

Në përfundim të mbylljes së numërimit të votave të hedhura të dielën, u regjistruan 83 020 vota të pavlefshme ose rreth 5% të votave të hedhura në kutitë e votimit.

Një nga arsyet e shifrave të larta të votave të pavlefshme mendohet të jetë fleta e votimit, e cila përmbante vetëm numrat e kandidatëve të partive.

Dyshohet se kjo ka sjell vështirësi ndër radhët e votuesve, por ende është e paqartë sa vota janë bërë të pavlefshme për këtë shkak dhe sa nga qëllimshmëria.

Formati i fletës së votimit u kundërshtua më parë nga PD-ja, pikërisht me argumentin se votuesit nuk do të mund të mbanin mend renditjen numërore të kandidatëve.

Nga ana tjetër, të hënën pati akuza nga ana e subjekteve politike se numri i lartë vjen si pasojë e lehtësisë që krijon formati i fletës për manipulim të votës.

Dyshimet janë shtuar pasi u konstatua se numri i votave të pavlefshme në njësinë numër 10 në Tiranë, ku u zhvillua numërimi elektronik i votave, ishte vetëm 120 vota ose rreth 1%.

Shifrat e votave të pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit përbëjnë gjithashtu një rritje të ndjeshme në raport me ato të zgjedhjeve të mëparshme.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, përqindja e votave të pavlefshme ishte 1.98% ose 31.898 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2013 shifrat ishin edhe më të ulta, me 1.39% të votave të pavlefshme ose 24 279 vota.

KQZ ende nuk ka komentuar mbi këto fakte, por do të duhej një analizë e thelluar për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e fenomenit, si dhe se si ai mund të shmangej.

Ekspertët gjykojnë se 83 020 vota përkthehen në rreth 8 mandate parlamentare dhe është e nevojshme të kuptohet si kanë ndikuar ato në rezultatet aktuale të shpërndarjes së mandateve.

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>