Votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet e prillit 2021 do të zbatohet në një zonë zgjedhore të bashkisë së Tiranës.
Komisioni Rregullator në KQZ miratoi të premten vendimin për të testuar votimin dhe numërimin elektronik në një ZAZ të kryeqytetit që ka jo më shumë se 55 qendra votimi.
Kjo do të thotë se PD, PS dhe LSI kanë rënë dakord që projekti pilot të mos zhvillohet në Korçë dhe Fier, të cilat ishin në propozimet fillestare.
PD propozoi zbatimin e projektit pilot në Korçë dhe në Fier. LSI propozoi qarkun e Tiranës dhe Korçës.
Por në fund është miratuar kërkesa e PS e cila kërkoi që projekti të zbatohej vetëm në një zonë të Tiranës për shkak të kostove të larta.
Referuar të dhënave nga zgjedhjet e vitit 2017 në Bashkinë Tiranë, ZAZ-të e vetme me më pak se 55 qendra votimi janë njësia 1, 3, 8, dhe 10.
Partitë politike ranë dakord më 5 qershor që në zgjedhjet e 2021, të testohej numërimi dhe votimi elektronik në një zonë të Shqipërisë. Opozita kërkoi fillimisht që projekti të zbatohej në gjithë vendin por u tërhoq pasi kjo do të kërkonte shumë kohë dhe burime financiare.
Ndërkohë që në zgjedhjet e prillit në të gjithë vendin do të bëhet identifikimi biometrik i zgjedhësve para votimit.