Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se votimi i Shqipërisë në OKB një ditë më parë kundër SHBA-ve, nuk është qëndrimi i shtetit shqiptar.
Me anë të një deklarate për shtyp, zëdhënsi i Presidentit deklaroi:
“Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar.
Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar.
Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri me i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla që duhet të jenë të mirë koordinuara.”
Një ditë më parë, në OKB u mbajt votimi për rezolutën, hartuar nga Egjipti, kundër qëndrimit të SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit.
Rezoluta, që parashikon se çdo vendim mbi statusin e Jeruzalemit është i pavlefshëm, u miratua me 128 vota pro, mes tyre dhe Shqipëria, 9 vota kundër dhe 35 abstenim.
Një ditë përpara votimit të rezolutës, presidenti Trump kërcënoi se do të ishte i vëmendshëm ndaj votimit, dhe se do të ndërpriste fondet për vendet që mbështesin rezolutën kundër SHBA-ve.