Një 25 vjeçar, Klodian Rasha u ekzektutua nga një oficeri policie në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi ai nuk iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit në Laprakë.
Sipas të dhënave të policisë i riu po kryente veprime të dyshimta dhe nuk ka respektuar urdhërin e policisë për të ndaluar.
Ai ka vrapuar për t’i shpëtuar policisë. Ndërkohë policia raporton se 25 vjeçari dyshohet se ishte i armatosur.
“Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R”, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Pas disa orësh nga ngjarja, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHÇBA) njoftoi se policia kishte gjetur një armë në një rrugicë ku kishte kaluar viktima.
“Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H.Nga grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë.”
Të pyetur për mediat, babai i Rashës deklaroi se djali i tij nuk ishte i armatosur madje kishte hurma në dorë.
Oficeri i policisë u arrestua pas ngjarjes dhe akuzohet për vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.
Për këtë ngjarje reagoi dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili shprehu ngushëllime për familjen dhe i kërkoi prokurorisë të zbardhë të vërtetën e kësaj ngjarjeje.