Vrasja e liderit të partisë serbe Oliver Ivanoviç në Mitrovicën e Veriut ka detyruar Presidentin serb Vuçiç të ndërpresë menjëherë bisedimet në Bruksel me qeverinë kosovare.
Lajmi për ndërprejen e bisedimeve u konfirmua dhe nga delegacioni i Kosovës në Bruksel. Mësohet se delegacioni serb është nisur menjëherë për në Serbi ku presidenti Vuçiç ka thirrur në takim urgjent Këshillin e Sigurisë së Serbisë.
Në një konferencë për shtyp, Presidenti Vuçiç tha se Serbia kërkon të përfshihet në hetimet për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes.
Lideri serb i Nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pas një atentati me armë zjarri. Oliver Ivanoviç, 64 vjeç, po hynte në zyrat e partisë së tij në veri të Mitrovicës kur u qëllua me katër plumba në gjoks.
Deri më tani policia ende nuk ka arritur të zbardhë ngjarjen, e cila pritet të ketë ndikim politik, veçanërisht në diskutimet mes Serbisë dhe Kosovës.
Vrasja e liderit serb u dënua dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini:
“Ne presim që autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë të mos kursejnë asnjë përpjekje për gjetjen e autorëve dhe t’i sjellin ata para drejtësisë pavonuar. EULEX do të përkrahë autoritetet në përputhje me mandatin e vet. Ftojmë të gjitha palët të tregojnë qetësi dhe të përmbahen në mënyrë që sundimi I ligjit dhe drejtësia të marrin rrugën e duhur.”