Pas 1 viti e gjysmë prokuroria ka çuar në gjyq 4 persona për vrasjen e Fabian Gaxhës në zonën e ish-Bllokut, ku u përfshinë Ervin Mata, Marviol Bilo, Elion Hado dhe Ervis Martinaj.
Siç raporton gazetari Elton Qyno, prokuroria akuzon për vrasjen ish-ushtarakun Marviol Bilon, i cili angazhohej nga Mata si truproje. Mata akuzohet për mos-kallëzim krimi, ndërsa Bilo akuzohet gjithashtu edhe për armëmbajtje pa leje. Ky i fundit mbetet në kërkim.
Më 4 tetor 2018 pas një përplasje me armë në një lokal në zonën e ish-Bllokut, mbeti i vrarë Fabian Gaxha ndërsa u plagosën Elion Hado dhe Ervis Martinaj.
Një vit e gjysmë më vonë, prokuroria akuzon Hadon dhe Martinajn për tentativë vrasje.
Pas ngjarjes Martinaj u mbajt në paraburgim 7 muaj. Prokuroria e akuzonte se kishte ndihmuar në vrasjen. Mirëpo tashmë kjo akuzë është ndryshuar. Ai akuzohet se ka krijuar kushtet që nxitën pasojat e ngjarjes pasi ai kishte qenë personi që thirri Gaxhën në lokal.
Gazetari Qyno vë në dukje se duke mos provuar dot akuzat fillestare, autoritetet i kanë ngritur akuza të tjera Martinajt si: fshehje të të ardhurave, organizim lojërash fati dhe falsifikim pasaportash. Pas ngjarjes atij iu gjet një pasaportë kosovare me identitet të rremë Admir Koca.
Aktualisht Martinajt i është kërkuar nga Operacioni Forca e Ligjit të deklarojë pasurinë. Në vitin 2013 ai ka kryer 3 muaj burg për shkak se zhvillonte pa leje baste sportive. Ndërkohë në vitin 2015 ishte i akuzuar për vrasjen e Enton Nikës në Linzë të Tiranës. Për këtë ngjarje u dënua me 1 vit burg vetëm për moskallëzim krimi.
Gjykata e Tiranës gjykoi se vrasja qe kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga Emiljano Tasho, Bujar Hasani, Mirsad Kuçana dhe Martinaj.