Rrjeti Evropian për Borxhin dhe Zhvillimin (Eurodad) prezantoi sot një raport mbi Partneritetet Publike-Private (PPP) në Parlamentin Europian në Bruksel. Raporti tregon një analizë të thellë të 10 projekteve të ndryshme PPP në Kolumbi, Francë, Indi, Indonezi, Lesoto, Liberi, Peru, Spanjë dhe Suedi. Konkluzionet konfirmojnë përfundimet që dhe Gjykata Evropiane e Auditimit ka nxjerrë më parë për PPP-të: PPP-të janë strategji investimi me rrezik të lartë për qeverinë dhe borxhin publik, si dhe me ndikime të konsiderueshme negative në shoqëri.
Raporti arrin në përfundimin se:
– Të dhjeta projektet e vëzhguara patën një kosto të lartë për buxhetin e shtetit, nivel të lartë rreziku për sektorin public dhe për rrjedhojë, u bënë një barrë e rëndë për qytetarët.
– Çdo PPP i studiuar kishte nivel më të lartë risku për shtetin se sa për kompanitë private të përfshira, sepse shtetit i kërkohej të përballonte kostot kur projekti nuk shkonte sipas planit.
– Të gjitha rastet treguan se Parteritet Publike-Private ishin kontrata komplekse për tu negociuar dhe zbatuar dhe se kapacitete specifike shtetërore ishin të nevojshme për të negociuar dhe rinegociuar në interesin publik.
– Nëntë nga 10 projekte u karakterizuan nga mungesa e transparencës dhe kanë dështuar të konsultohen me komunitetet e prekura dhe minuan përgjegjësinë demokratike.
– Pesë nga dhjetë PPP e analizuara kanë ndikuar negativisht te të varfrit dhe kanë kontribuar në rritjen e ndarjes mes të pasurve dhe të varfërve.
– Tre nga PPP-të kanë rezultuar të kenë impakte serioze sociale dhe mjedisore.
– Tre nga kontratat me PPP duhej të anuloheshin për shkak të një dështimi të dukshëm në proces, duke përfshirë kujdesin e duhur për të identifikuar ndikimet e mundshme të projektit.
Siç Exit.al ka raportuar vazhdimisht, qeveria shqiptare ka përdorur në mënyrë agresive kontratat PPP si një mënyrë për të fshehur borxhin publik dhe për të fuqizuar ekonomikisht një kast të vogël të oligarkëve. Përkundër vlerësimeve të ekspertëve dhe paralajmërimeve të përsëritura të Bankës Botërore dhe FMN-së, qeveria vazhdon të deklarojë se kontratat PPP nuk kanë risqe fiskale.
Vetëm për vitin 2018, PPP-të i kanë kushtuar shqiptarëve të paktën 70 milionë euro, pa përfshirë kontratat e reja të miratuara gjatë këtij viti si: kontrata për koncesionin e Rrugës së Kombit, kontrata për ndërtimin dhe menaxhimin e Terminalit të Autobuzëve në Tiranë, ndërtimin e katër akseve rrugore me PPP, ndërtimin dhe menaxhimin e dy aeroporteve. Megjithë ndikimet negative mbi shoqërinë, buxhetin e shtetit dhe mjedisin, PPP-të mbeten të preferuarat e qeverisë pasi mbështeten në rregulla pak më kreative të kontabilitetit në mënyrë që të mos shfaqen menjëherë si shpenzime publike.
Raporti i Eurodad-it komenton:
“Shumë projekte janë prokuruar si PPP thjesht për të shmangur kufizimet buxhetore dhe për të shtyrë regjistrimin e kostove fiskale. Disa praktika kontabël lejojnë qeveritë të mbajnë koston e projektit dhe detyrimet e saj të kushtëzuara “jashtë bilancit”. Kjo përfundon duke ekspozuar financat publike ndaj rreziqeve të tepërta fiskale. Masat shtrënguese aktuale dhe recetat rrënjësore të politikave që nxisin deficitin e ulët fiskal gjithashtu nxisin shtetet drejt PPP-ve.”
Për të kundërshtuar përhapjen e këtij mjeti fiskal të rrezikshëm dhe të dëmshëm, Eurodad lëshoi rekomandimet e mëposhtme për Bankën Botërore, FMN dhe bankat e tjera zhvillimore:
– Të ndalohet promovimi agresiv dhe nxitja e PPP-ve për financimin e projekteve të rëndësishme sociale e ekonomike dhe pranimi publikisht i rreziqeve financiare dhe risqeve të tjera të rëndësishme që sjellin PPP-të.
– Të mbështeten vendet për gjetjen e metodës më të mirë të financimit për shërbimet publike në infrastrukturën sociale dhe ekonomike, metoda të cilat janë përgjegjëse, transparente, që nuk demtojnë mjedisin dhe janë nga pikpamja fiskale të qëndrueshme.
– Të sigurohet zbatimi i standardeve rigoroze të transparencës, veçanërisht në lidhje me kontabilizimin e fondeve publike – vlera e kontratës e PPP-së dhe implikimet fiskale afatgjata duhet të përfshihen në llogaritë kombëtare. Interesi publik duhet të renditet më lart se interesi për biznes. Kontratat dhe raportet e performancës së projekteve duhet të bëhen publike paraprakisht.
– Të sigurohet që ka qeverisje të mirë dhe demokratike para se të ndiqen projekte të tilla të mëdha në infrastrukturë apo shërbimet të tjera. Duhet të ketë konsultimit të informuar me komunitetet lokale, sindikatat dhe aktorët e tjerë, pjesëmarrjese e monitoruese duhet të jetë dhe shoqëria civile. Të drejtat e komuniteteve të prekura duhet të merren parasysh.