Vuçic distancohet nga deklaratat për krijimin e ‘botës serbe’

Nga Exit News
Vuçic distancohet nga deklaratat për krijimin e ‘botës serbe’

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të kritikave nga vendet e  Ballkanit për shkak të deklaratave për krijimin e një “bote serbe”, nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin,

“Është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se cila është politika zyrtare e Serbisë – është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe ne nuk jemi të interesuar për kufijtë e të tjerëve. Ne duhet ta ruajmë tonën dhe të tregojmë në mënyrë të qartë se cila është politika jonë”, tha Vuçiq për Televizionin Pink të Serbisë, pas një takimi të ri me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Bruksel.

Ditë më parë, Vulin tha në një tubim të partisë së tij se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Ai tha se për “krijimin e botës serbe”, duhet që Serbia të jetë ekonomikisht e suksesshme, e udhëhequr mirë dhe “të ketë një ushtri që është në gjendje ta shpëtojë atë, ashtu si edhe serbët kudo që jetojnë”.

Vulin, ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të gruas së presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, u duartrokit nga të pranishmit përfshirë edhe Vuçiçin.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq kërkoi nga Vuçiç të distancohet menjëherë nga deklaratat e Vulinit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me Vuçiçin në Bruksel se Serbia e ka problem të përballet me të kaluarën.

“Për fat të keq, presidenti i Serbisë nuk distancohet as nga Vulini, as nga Daçiqi [v.j. tani kryetar i Kuvendit të Serbisë], as nga Millosheviqi, as nga kushdo që ishte në pushtet në vitet 1990. Kjo është me të vërtetë për keqardhje”, tha Kurti.

Termi “bota serbe” u përdor për herë të parë nga Vulin më 26 shtator, 2020.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>