Vuçiç justifikon lidhjet me Rusinë e Kinën me vendimin e BE për negociatat

Nga Gerard Gega
Vuçiç justifikon lidhjet me Rusinë e Kinën me vendimin e BE për negociatat

Vendimi i Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po përdoret si justifikim i Presidenti serb Aleksandar Vucic për forcimit të lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

Në një intervistë për Financial Times, Vucic është shprehur:

“BE gjithmonë ka thënë se gjithçka varet nga ju, përpjekjet dhe reformat tuaja… Tashmë janë më të ndershëm. Së paku po tregojnë se gjërat nuk varen nga ne (vendet e Ballkanit)”.

Serbia pritet të nënshkruajë të premten marrëveshjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik të Euroazisë, që përbëhet nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizistani.

Për këtë kthim nga lindja, pavarësisht faktit se Serbia është vend që ka hapur negociatat që prej vitit 2014, Vucic e ka justifikuar me “qëndrimet kundër Ballkanit që po ka Brukseli”:

“Duhet të kujdesemi për veten tonë. Kjo është mënyra e vetme, kjo është qasja e vetme, çdo gjë tjetër do të ishte papërgjegjshmëri. Çfarë të bëjmë, të qahemi të futemi në grevë urie përpara selisë qëndrore të Komisionit Evropian?! Nuk kam për ta bërë […] askush nuk ka për ta bërë. Tani nuk kemi pse varemi nga vendimet e Komisionit, se çfarë mendon qeveria holandeze, qeveria daneze kundër pritshmërive tona”.

Kthimi i Serbisë drejt Rusisë shihet nga BE-ja si zbehje e influencave të Brukselit në Ballkan. Së fundmi nga Presidenti Vucic është ndërmarrë nisma e ashtuquajtur “Mini-Schengen” që synon krijimin “e një tregu të përbashkët prej 18 milionë njerëzish në Ballkan” me Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi mbeten në pritje).

Sipas Vucic, në të shkuarën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ishin të interesuara, sepse prisnin më shumë nga Brukseli. Por tashmë situata ka ndryshuar:

“Duhet me patjetër që në fillim t’i kthehemi njëri-tjetrit (në Ballkan) […] sigurisht duke mbetur në rrugëtimin drejt BE-së, por pa pritur bamirësira nga askush.”

Përveç marrëdhënieve në rritje me Rusinë, Serbia ka nënshkruar disa marrëveshje me Kinën, ku një prej tyre ka qenë ajo e nënshkruar në muajin maj për sigurinë. Kina i ofron Beogradit jo vetëm hua për investime, por tashmë edhe teknologji dhe bashkëpunim për sigurinë me patrulla të përbashkëta policore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>