Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar të martën qeverinë e Kosovës, se nëse provon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare e presin surpriza, raportojnë mediat serbe.
Ai u beri thirrje autoriteteve në Prishtinë të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara.
Në një intervistë televizive presidenti serb tha:
“Nëse nuk e respektojnë edhe marrëveshjen e Brukselit, atëherë i pret një befasi. Ata e dinë se kur e them unë këtë e kam vërtetë. Unë jam gjithmonë njeri i përpiktë, nuk bëj bllof. Nëse Kosova provon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, do ta presin disa befasi, ata e dinë këtë.”
Në lidhje me deklaratat e Kosovës se ata do të paraqesin një kërkesë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, Vuçiç tha:
“Ata nuk kanë ide për çfarë po flasin, nuk i lexojnë marrëveshjet që nënshkruajnë. Ata nuk lejohen të aplikojnë në organizatat ndërkombëtare. Nëse aplikojnë, do t’i presin surpriza të mëdha.”
Kryetari i AAK Ramush Haradinaj tha të martën se Serbia i është kthyer kërcënime ndaj Kosovës pasi ndihet e fortë, ngaqë Kosova ka një qeveri të shkarkuar e të dobët.
Po ashtu ai deklaroi se në mandatin e tij si president Kosova do të anëtarësohet në NATO.
Sipas tij, ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigja më e mirë ndaj deklaratave të Serbisë të cilat ai i cilëson si nxitëse të luftës.
Ndërkohë të hënën, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti paralajmëroi Serbinë se nëse nuk njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë qeveria kosovare do të zbatojë masat e reciprocitet ndaj Serbisë.