Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç falënderoi dje Presidentin e Rusisë Vladimir Putin për “përforcimin” e ushtrisë serbe me mjete luftarake.
Vuçiç mori pjesë dje në një bazë ushtarake në Nish të Serbisë në dorëzimin e 10 mjeteve luftarake për patrullim të dhuruara nga Rusia.
Vuçiç tha se megjithëse “tani është e modës të flasësh keq për Putinin, unë do të jem me modën e vjetër: ‘Faleminderit, President Putin!’”
Ambasadori rus Aleksander Botsan-Karçenko premtoi se “Rusia do të mbetet gjithmonë e gatshme për bashkëpunim ushtarak dhe teknik me Serbinë”.
Serbia është kundër anëtarësimit në NATO dhe po përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ajo mban një bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, kundër së cilës BE-ja, SHBA-të dhe shumë vende të tjera kanë vendosur sanksione për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.
Rusia i ka dhënë ndihmë Serbisë vitet e fundit për të forcuar kapacitetet ushtarake. Këto zhvillime shihen si kërcënim për paqen në rajonin e Ballkanit.
Dhurata e fundit e Rusisë ishin 10 mjete patrullimi ruse BRDM-2, të cilat u dorëzuan nga avionë rusë. Rumania ia ndaloi Rusisë të përdorte territorin e saj për transportin e mjeteve, për shkak të sanksioneve kundër Rusisë. Kryeministri Viktor Orban lejoi fluturimin e avinëve rusë përmes Hungarisë drejt Serbisë.
Vuçiç tha se “e rëndësishme është që ia dolëm t’i transportojmë mjetet në Serbi. Si dhe në ç’rrugë, kjo është puna jonë”.
Vitin e shkuar Serbia mori dhuratë nga Rusia 6 avionë luftarakë MiG-29, për të cilët pagoi vetëm për riparimin dhe mirëmbajtjen – 185 milionë euro.
Mjetet e fundit luftarake janë pjesë e një furnizimi rus që do të vazhdojë, sipas marrëveshjes mes dy presidentëve. Rusia do të dhurojë 30 tanke T-72 dhe 30 mjete luftarake BRDM-2.