Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se nuk ka hyrë në marrëveshje me Kosovën, por me SHBA-të si dhe nuk do të ketë njohje reciproke mes vendeve.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Vuçiç pohoi se Presidenti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij i kishin kërkuar të njohë Kosovën dhe gjithashtu t’i kërkonte Izraelit njohjen e saj. Serbia kundërshtoi këtë kërkesë, e më pas u arrit marrëveshja mes Serbisë e Izraelit e këtij të fundit me Kosovën.
Vuçiç sqaroi se në lidhje me çështjen e përdorimit të liqenit të Ujmanit, do të bashkëpënunojnë me Departamentin amerikan tē energjetikës dhe organe tjera të qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti. Ky i fundit do të shërbejë për ndarjen e resurseve energjetike të liqenit.
Më tej presidenti serb pohoi se palët kanë rënë dakort për ndërtimin e hekurudhës që lidh Kosovën me Serbinë, implementimin e rrjetit 5G, ruajtjen objekteve fetare. Nga ana tjetër palët kanë rënë dakort që Kosova të mos vijojë fushatën për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe Serbia të ndalë fushatën e mosnjohjes së Kosovës.
Në përfundim të intervistës Vuçiç u shpreh:
“Duhet të mësohemi që Prishtinën të mos e shohim gjithnjë si armikun tonë, por të mësohemi të krijojmë marrëdhënie me ata njerëz. Ata na shohin si armiq, përjashto këtu Skënder Hysenin, i cili di të dhurojë ndonjë buzëqeshje, të tjerët na shohin ashtu siç i sheh Marko Gjuriç ata. Unë nuk dua që të tilla raporte të na shoqërojnë në 50 vitet e ardhshme. Ne kemi nevojë për paqe, për stabilitet dhe marrëdhënie të mira me ta.”
Për më shumë në lidhje me marrëveshjen e arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë klikoni këtu.