Vuçiç pritet me protesta në Tiranë

Nga Redaksia
Vuçiç pritet me protesta në Tiranë

Me foto të masakrave serbe në Kosovë, qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan sot kundër diskutimeve për minishengen ballkanik dhe kundër vizitës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Shqipëri.

Qindra qytetarë bënë thirrje që Vuçiç të mos pranohet si bamirës, por t’i kërkohet përgjegjësi për deklaratat mohuese të masakrave dhe fatet e mijëra njerëzve që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e Kosovës.

Presidenti serb Vuçiç dhe Kryeministri në largim i Maqedonisë së Veriut, Zaev mbërritën pasditen e së premtes në Tiranë për të marrë pjesë, së bashku me Krzeministrin Rama, në takimin e tretë për minishengenin ballkanik.

Ata u pritën me protesta përpara takimit informal që do të zhvillonin në hotel “Rogner”. Sipas axhendës, më pas Rama-Vuçiç-Zaev do të marrin pjesë në një koncert bamirësie për mbledhjen e fondeve të nevojshme për rindërtimin e ndërtesave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Për këtë protestuesit thirrnin vazhdimisht që Vuçiç mos të pranohet si bamirës.

Siç Exit News ka raportuar, koncerti organizohet në orën 19:00 në Parkun Olimpik me bileta 10,000 lekë, të cilat u janë kërkuar që të blihen nga administrata.

Protesta kundër vizitës së Vuçiç.

Policia i ndau protestuesit dhe nuk lejoi afrimin e tyre pranë hotelit. Ata u detyruan të vendoseshin fillimisht mes kryqëzimit të Bulevardit e më pas te lulishtja përballë Presidencës.

Minishengeni ballkanik u diskutua fillimisht në fillim të vjeshtës, pasi BE-ja dha qëndrimin e radhës kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ideja e minishengenit është vendosja e lëvizjes dhe tregtisë së lirë mes vendeve të Ballkanit.

Pas takimeve në Novi Sad dhe Ohër, takimi i tretë do të mbahet të shtunën në orën 12:00 në Durrës. Ai zhvillohet në një klimë të tensionuar pas refuzimit të të gjithë politikanëve kosovarë për të marrë pjesë.

Citim i Presidentit serb Vuçiç kur mohoi masakrën e Reçakut.

Kryeministri në largim, Haradinaj, Kryeministri i ardhshëm Kurti dhe Presidenti Thaçi refuzuan publikisht pjesëmarrjen. Shkak janë marrëdhëniet me Serbinë dhe Bosnjen. Dy shtete të cilat gjithashtu janë ftuar për të qenë pjesë e minishengenit nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Serbia vazhdon t’i mohojë masakrat e luftës së vitit 1999 dhe të aplikojë politika penguese ndaj shtetit kosovar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>