Vuçiç shtrohet në spital prej shqetësimeve në zemër

Nga Erblin Vukaj
Vuçiç shtrohet në spital prej shqetësimeve në zemër

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shtrua të premten në spital për shkak të shqetësimeve në zemër. Lajmi u raportua të shtunën fillimisht nga agjencia Reuters e më pas u konfirmua zyrtarisht nga zyra e Vuçiç.

Një burim pranë qeverisë i tha Reuters-it se Presidenti serb nuk ishte ndjerë mirë të premten, por që “gjendja e tij ishte stabilizuar”.

Pas raportimeve në të gjitha mediat, zyra e shtypit të Presidentit konfirmoi se “pasditen e së premtes Vuçiç ishte shtruar në Spitalin Universitar Ushtarak të Beogradit për shkak të shqetësimeve në zemër”.

Këshilltarja e Vuçiçit për media Suzana Vasiljeviç, tha se “tani Presidenti serb është në gjendje të mirë shëndetësore”, por nuk tregoi të dhëna të tjera. Deri të shtunën nuk kishte pasur njoftime, se Presidenti Vuçiç ka probleme shëndetësore, por mediat lokale kanë raportuar më parë se ai vuan nga tensioni i lartë.

Vuçiç, 49-vjeç, ka karrierë të gjatë në politikë. Në vitet ’90 ishte pjesë e partisë ultranacionaliste Partia Radikale Serbe, pro regjimit të Milosheviçit. Në vitin 1998 ishte Ministër i Informacionit dhe gjatë luftës në Kosovë u akuzua nga institucionet ndërkombëtare se u diktoi mediave serbe propagandë nacionaliste. Disa gazeta u gjobitën prej politikave të tij sepse iu referoheshin shqiptarëve që vriteshin në Kosovë si njerëz dhe jo me etiketimet “terroristë”.

Më shumë se 10 vite më vonë, Vuçiç ndryshoi drejtim duke iu paraqitur serbëve si politikan pro-evropian dhe prijës i Partisë Progresiste Serbe, e cila i fitoi zgjedhjet në vitin 2014.

Nga Kryeministër u bë President, që ka rol të madh përfaqësues, por që sidoqoftë në Serbi ai vazhdon të konsiderohet kryesori i i politikës. Partia e tij ka drejtimin e qeverisë me Kryeministre Ana Brnabiç dhe gjithashtu drejtimin e bashkisë së Beogradit me Zoran Radojiçiç. Opozita dhe organizatat joqeveritare e akuzojnë atë për ushtrim autoritar të pushtetit dhe kufizim të lirisë së mediave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>