Vuçiç takon Richard Grenell: Askush nuk na ka ofruar gjë për bisedimet me Kosovën

Vuçiç takon Richard Grenell: Askush nuk na ka ofruar gjë për bisedimet me Kosovën

Aleksandar Vuçiç zhvilloi sot një takim me Richard Grenell, me të cilin foli rreth dialogut Kosovë-Serbi. Presidenti serb nuk dha shumë detaje rreth asaj se çfarë kishte diskutuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për bisedimet, por theksoi se “askush nuk ka ofruar gjë”.

I pyetur rreth çështjes së tarifave të vendosura nga Kosova dhe nëse Grenell dha apo jo garanci se ato do të hiqeshin, Vuçiç këmbënguli se “ata (SHBA-të) nuk dhanë asgjë”.

Vuçiç e ka përshkruar diskutimin me Grenell si një diskutim serioz dhe të përgjegjshëm, por të cilin do të duhet ta tregojë për publikun në një moment të dytë “kur të kem reflektuar më mirë rreth asaj çka u bisedua”.

Më herët në një deklaratë për shtyp të publikuar nga presidenca serbe, Grenell citohej të kishte thënë se:

Synimi ynë (SHBA-ve) është që t’i drejtojmë partnered tanë të Serbisë dhe Kosovës në një zgjidhje të konfliktit. Të dyja palët do të duhet të punojnë shpejt dhe afër me shikimin nga e ardhmja.

Grenell ka marrë mbështetje të plotë nga Presidenti Donald Trump për të zgjidhur çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Të enjten ai ishte në Kosovë, ku u takua me Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin në largim Ramush Haradinaj dhe fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurtin.

Nga zyrtarët e Kosovës, Presidenti Thaçi i shprehu besimin të dërguarit Grenell se “përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve në këto bisedime jep garanti se diskutimet do të jenë vendimtare për të gjetur zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë”.

Grenell, 53-vjeç, është ambasador i SHBA-ve në Gjermani që prej majit të vitit të kaluar dhe u emërua si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi pak ditë më parë.

Ai njihet si ekspert i politikës së jashtme, ish-zëdhënës në OKB, por edhe si një person i besuar nga Donald Trump. Angazhimi i tij ka zbehur rolin e Përfaqësuesit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Bisedimet Kosovë-Serbi nisën në vitin 2011 si një proces që do të siguronte paqe, stabilitet, bashkëpunim mes dy vendeve dhe ecuri drejt integrimit në BE.

Bisedimet janë pezulluar që prej nëntorit të vitit 2018, kur Kosova vuri tarifa 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes bllokuese të Serbisë ndaj njohjeve të pavarësisë së saj. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

BE dhe SHBA kanë kërkuar herë pas here rifillimin e dialogut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>