VV pretendon se është manipuluar kërkesa e KQZ për verifikimin e kandidatëve

Nga Exit News
VV pretendon se është manipuluar kërkesa e KQZ për verifikimin e kandidatëve

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Alim Rama pretendon se është ndryshuar përmbajtja e kërkesës së Komisionit Qendror Zgjedhor dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për verifikimin e kandidatëve për deputetë.

Sipas tij ka qenë dy drafte, njëri që përfshin kategorizimin e dënimeve dhe njëri që nuk e përfshin.

Ai ka ngritur dyshime se ka pasur ndërhyrje nga dikush me influencë, raporton Koha.net.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ është shprehur se ndërhyrja është politike:

“Sipas informacioneve që kemi, jemi në dijeni për dy drafte. Midis draftit të parë dhe këtij të dytit, ka dallime shumë të rëndësishme, prej nga duket se ka pasur një intervenim prej dikujt me influencë të madhe në KQZ, me tendencë të lexueshme politike”.

Por zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se këto drafte nuk janë të Zyrës Ligjore të KQZ-së

“Këto nuk janë shkresa të Zyrës Ligjore të KQZ-së dhe as të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike. Zyra është autonome dhe shkresat i përgatit vet”, ka thënë ai. Sipas Elezit, i vërtetë është vetëm versioni final i dërguar në KGJK.

Versioni përfundimtar që është dërguar në KQZ nuk e përfshin kategorizimin e dënimeve.

Drafti për të cilin flet Alim Rama e bën kategorizimin e dënimeve, pra i ndalon garën vetëm atyre që e drejta u është hequr me vendim gjykate dhe atyre që janë dënuar me burgim në tri vitet e fundit. Ky draft përjashton ata që kanë dënime alternative, sikurse është rasti i kreut të LVV Albin Kurtit.

Ndërsa drafti përfundimtar, i dërguar në KGJK, e përfshin edhe rastin e Kurtit.

Kurti është dënuar në vitin 2018 për ‘përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’. Dënimi ka ardhur pasi ai hodhi gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Atij ju caktuan 18 muaj burgim me kusht.

Mesditën e së mërkurës KQZ-ja e Kosovës njoftoi se 47 kandidatë për deputetë nga 1,079 kandidatë në listat e partive nuk janë të përshtatshëm për të kandiduar.

Emrat nuk janë bërë ende publik por mediat e Kosovës kanë aluduar se mes tyre është edhe emri i kreut të LVV,por ai ka mohuar të jetë njoftuar për këtë gjë nga KQZ.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>