WSJ: Trump largoi ambasadoren në Ukrainë pas ankesave të avokatit Rudy Giuliani

WSJ: Trump largoi ambasadoren në Ukrainë pas ankesave të avokatit Rudy Giuliani

Presidenti Donald Trump largoi nga detyra ambasadoren në Ukrainë Marie Yovanovich pas ankesave të avokatit të tij Rudy Giuliani se ajo po pengonte përpjekjet për të shtyrë qeverinë ukrainase të hetonte ish-zëvendëspresidentin Joe Biden për konflikt interesi dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Lajmi  u raportua nga Wall Street Journal. Youvanovich u largua nga detyra më 20 maj 2019. Presidenti Trump asokohe nuk dha informacione rreth arsyes së këtij vendimi. Rreth 5 muaj më vonë, sipas WSJ, ky largim rezulton të ketë lidhje me përpjekjet e Trump për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Aktualisht në SHBA demokratët kanë nisur procedurat për shkarkimin e Trump. Procedurat u nisën pas disa raportimeve se Presidenti i ka kërkuar homologut të tij ukrainas të ndikonte për nisjen e hetimive ndaj Joe biden-it në Ukrainë. Kjo kërkesë e supozuar interpretohet si përdorim i postit për ndikim të paligjshëm për zgjedhjet e vitit 2020. Demokratët pretendojnë se Trump kushtëzoi ndihmën amerikane ndaj Ukrainës me këtë kërkesë.

Kushtëzimi u pikas pasi në media rrodhi një bisedë telefonike mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidentit Trump, ku ky i fundit kushtëzonte mbështetjen e SHBA-ve me rreth 400 milionë dollarë ndihma ushtarake me nisjen e hetimeve ndaj Biden-it.

Biden akuzohet nga Trump se për periudhën 2014-2017 ka ushtruar detyrën e zëvendëspresidentit në kushtet e konfliktit të interesit, kjo pasi drejtonte politikën amerikane për Ukrainën në një kohë kur djali i tij Hunter ishte anëtar bordi në kompaninë e naftës Burisma.

Trump dhe avokati i tij Rudy Giuliani pretendojnë se Biden ndikoi që në vitin 2016 kryeprokurori ukrainas Viktor Shokin të shkarkohej në mënyrë që djali i tij Hunter të mos hetohej.

Çështja në fjalë është komplikuar me deklaratat e vazhdueshme mes palëve, por nëse është i vërtetë lajmi i Wall Street Journal se ambasadorja Yovanovich u largua pasi bëhej pengesë e këtyre përpjekjeve të Trump-it, kjo do ta rëndonte pozitën e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>