Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka mohoi të enjten akuzat e opozitës për abuzime me tenderin e ushqimeve për rezervat e shtetit.
Në një videodeklaratë të shpërndarë në Facebook, Xhaçka u shpreh se tenderi është bërë në përputhje me ligjin.
Ajo i cilësoi akuzat të inskenuara dhe ironizoi se opozita do të bënte mirë t’i bashkohej ndihës duke shpërndarë ushqime për qytetarët.
“Procedura e prokurimit të rezervave të shtetit është bërë në përputhje me procedurën ligjore të afateve të përshpejtuara të gjendjes së fatkeqësisë. E inkurajoj opozitën të mos bëjë politikë, por ta referojë çështjen sa më shpejt tek organet e drejtësisë që të sqarohet sa më parë.”
Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se qeveria po u vjen në ndihmë mbi 600 000 qytetarëve dhe se opozita do të bënte mirë t’i vinte në ndihmë shtetit, duke kontrolluar punën e qeverisë ose duke shpërndarë ushqimet tek qytetarët.
“Këta që i bren meraku, i ftoj të heqin pizhamet, të ngrihen nga divanet, të lënë telekomandat, telefonët, Facebook-un dhe të vijnë të na ndihmojnë në terren, atje ku nevoja është vërtet shumë e madhe”.
Partia Demokratike denoncoi të martën një tender prej 1,5 milionë eurosh të bërë nga qeveria për furnizimin me ushqime të rezerveve të shtetit.
Opozita e akuzon qeverinë se duke shfrytëzuar procedurat e emergjencës i ka dhënë furnizimin me ushqime, me tender të paracaktuar dhe pa garë, kompanisë Eurovia, filial i një kompanie verio-maqedone.
Demokratët i bazojnë akuzat te kushtet e tenderit, që kërkonte që kompania e cila do të shpallej fituese të kishte kryer brenda 3 viteve të fundit kontrata të ngjashme me së paku 40 për qind të vlerës së tenderit.
Po kështu dyshime ngre fakti se 6 ditë përpara hapjes së garës kompania Eurovia shtoi në aktivitetet e saj tregtimin e produkteve ushqimore.