Xhaçka, Konferenca Ndërqeveritare me BE-në brenda qershorit

Nga Exit News
Xhaçka, Konferenca Ndërqeveritare me BE-në brenda qershorit

Konferenca e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së mund të organizohet deri në qershor 2021, teksa Portugalia ka presidencën e Këshillit Europian.

Ministrja e re e Jashtme Olta Xhaçka njoftoi në Twitter se të martën ka biseduar virtualisht me Ministrin e Jashtëm portugez Augustos Santos Silva, për integrimin e Shqipërisë në BE.

Duke folur për takimin, Xhaçka u shpreh:

“Mirënjohës për ministrin portugez Augusto Santos Silva për diskutim shumë të sinqertë dhe miqësor mbi integrimin në BE, trajtimin e Covid19 dhe përparimin e lidhjeve dypalëshe.

Vlerësojmë thellësisht angazhimin e fortë të ministrit për të punuar në drejtim të miratimit të kornizës negociuese dhe caktimin e datës për Konferecën e parë Ndërqeveritare në vitin 2021.”

Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare shënon hapjen praktike të negociatave me BE-në.

Fillimisht ishte menduar që kjo konferencë për Shqipërinë do të organizohej brenda vitit 2020. Por në muajt e fundit të vitit drejtues të lartë të BE-së dhe liderë europianë deklaruan se gjasat që kjo të ndodhte ishin të ulta.

Po ashtu Ambasadorët e vendeve anëtare në Bashkimin Evropian u shprehën se Shqipëria nuk është ende gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vëna në mars 2020.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>