Shqipëria është e gatshme të strehojë mijëra afganë ka shkruar të premten në Twitter ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pas një takimi me homologët e saj të vendeve të NATO-s për të cilët nuk i kurseu kritikat.
Xhaçka tha gjatë takimit se është e papranueshme që vendet e NATO-s të mos ofrojnë strehim për afganët.
“Nëse Shqipëria e bëka këtë, cili vend në këtë tryezë nuk e bëka dot?”, deklaroi Xhaçka.
Sipas Xhaçkës afganët duhen strehuar pasi kanë punuar me forcat e NATO-s dhe nga kjo do të varet edhe e ardhmja e kësaj aleance.
Pas takimit, ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s u bën thirrje talibanëve që të lehtësojë evakuimin e sigurt të mijëra afganëve dhe qytetarëve të huaj nga Afganistani.
Së fundmi ka pasur raportime se militantët talibanë po pengojnë njerëzit që të arrijnë në aeroportin në Kabul, prej ku po evakuohen me aeroplanë luftarakë afganët dhe shtetasit e huaj.
Shqipëria është në pritje të grupit të parë të afganëve të cilët do të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti.
Kur njoftoi vendimin e qeverisë për të pranuar kërkesën për strehimin e afganëve, Rama tha se do të vijnë disa qindra.
Më vonë kryeministri tha për gazetën spanjolle El Periodico se fillimisht do të vijnë 1 mijë afganë.
Qeveria ende nuk ka bërë publik planin se sa afganë do të strehohen në Shqipëri dhe se ku do të strehohen.