Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.
Ajo takoi të premten homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmanin.
Në një konferencë për shtyp, ministrja vlerësoi “vendosmërinë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev”.
Ajo tha se “do të ishte për të ardhur keq”, nëse nuk do të mbahen konferenca ndërqeveritare.
Ministri i Maqedonisë së Veriut tha se për të dy vendet nuk ka alternativë tjetër përvec anëtarësimit në BE.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe kjo miqësi është përtej interesave të dy vendeve dhe një nga shtyllat për sigurinë e stabilitetin e rajonit”, tha ai.
Në janar kryenoegociatori i Shqipërisë në Bruksel Zef Mazi, tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për t’u ulur në konferencën e parë ndërqeveritare me vendet e Bashkimit Europian.
Pjesëmarrja në konferencën e parë ndërqeveritare do të thotë hapja në praktikë e negociatave për anëtarësim me BE-në.
Këshilli Europian vendosi në mars të hap në parim e negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por hapja e kapitujve për anëtarësimin në praktikë nis pas konferencës së parë ndërqeveritare.
Mazi tha se Shqipëria ka përmbushur 5 kushtet që ishin vendosur nga Këshilli: miratimi i Reformës Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, ngritja e SPAK dhe BKH, forcimi i luftës ndaj korrupsionit – dhe se tashmë jemi gati për konferencën e parë ndërqeveritare.
Vendimi për caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë i mbetet Këshillit Europian i cili në të shkuarën ka rrëzuar dy herë rekomandimin e Komisionit për çeljen e negociatave.