Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim u bëri thirrje të martën liderëve politik në Shqipëri të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Ajo komentoi në ABC përplasjet e ndodhura në Elbasan mes PD dhe PS dhe zhvillimet para zgjedhjeve.
Ajo tha se liderët nuk duhet të nxisin “njerëzit të nxjerrin armët”.
“Mendoj se është shumë e dukshme që dhuna në politikë është e papranueshme. E di që dhuna politike ka qenë pjesë e historisë së Shqipërisë, por kjo është në të shkuarën. Tani mendoj që është një Shqipëri ndryshe”, tha Kim.
“Mendoj që drejtuesit kanë një përgjegjësi të veçantë në fjalët dhe në veprimet e tyre. Jo vetëm që ta dënojnë dhunën, por edhe që ta parandalojnë atë”, shtoi ajo.