Yuri Kim: Do të nxis zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri

Nga Gerard Gega
Yuri Kim: Do të nxis zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri

E emëruara ambasadore e SHBA-ve në Tiranë, Youri Kim, paraqiti të martën përpara Senatit amerikan programin e saj të punës.

Zonja Kim tha se programi i saj i punës do të kishte përparësi në:

  • inkurajimin e zbatimit të reformës në drejtësi, krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
  • nxitjen e udhëheqësve për të zgjidhur ngërçin politik dhe forcuar prespektivën e anëtarësimit në BE
  • ndihmën për të forcuar institucionet në mënyrë që të jenë më rezistente ndaj influencave ruse dhe kineze
  • nxitjen e investimeve dhe eksporteve amerikane në Shqipëri
  • inkurajimin e Shqipërisë për të arritur deri në vitin 2024 nivelin 2 për qind shpenzime për mbrojtje

Sipas Zërit të Amerikës, Zonja Kim tha se “Shqipëria ka emër jo të mirë për krimin e organizuar, për trafikimin e njerëzve, sidomos të grave si dhe narkotikëve përmes kufijve”.

Zonja Kim rikujtoi angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, misionet në Irak, Afganistan dhe mbështetjen ndaj SHBA-ve që vendi ynë ka patur në mënyrë konstante. E pyetur rreth ndikimit rus në rajon, e emëruara ambasadore në Tiranë tha se “fatmirësisht, përpjekjet e Rusisë në këtë aspekt nuk kanë patur shumë efekt”.

Sipas kushtetutës amerikane, ambasadorët emërohen nga Presidenti dhe konfirmohen nga Senati. Zonja Kim është propozuar nga Presidenti Trump që më 17 korrik. Ajo është me origjinë nga ishulli i Guamit në Oqeanin Paqësor. Flet gjuhë koreane, mandarin (kineze), japoneze dhe turke. Ka karrierë të gjatë në diplomaci. Më parë ka shërbyer si konsull politik në Irak dhe Turqi.

Nëse konfirmohet, do të jetë gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Për postin e ambasadores në Tiranë qe propozuar edhe Kathleen Kavalec, por propozimi i saj u tërhoq kur rezultoi se ajo kishte patur takime dhe komunikime të vazhdueshme me ish-agjentin Christopher Steele, i cili ngriti akuzat për lidhje të fushatës së Presidentit Trump me Rusinë. Sidoqoftë, në fillim të tetorit, Kavalec u emërua drejtuese e zyrës së OSBE-së në Bosnje e Hercegovinë.

Pas largimit të ambasadorit Donald Lu, ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga e ngarkuara me punë, Leyla Moses Ones.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>