Ambasadorja amerikane Yuri Kim reagoi të mërkurën pas miratimit të plotë të ligjeve të dala nga marrëveshja e 5 qershorit.
Ajo u shpreh se SHBA është në mbështetje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në një postim në Twitter, Kim shkroi:
“Sot, në seancën përfundimtare për vitin 2020, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Penal, duke përfunduar kodifikimin e marrëveshjes 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore.
SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht një proces transparent dhe gjithëpërfshirës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme më 25 prill.”
Më 23 Korrik, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit.
Ndryshimet u miratuan me 97 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenime.
Marrëveshja e 5 qershorit ndryshon Kodin Zgjedhor nëpërmjet amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik mes PS, opozitës parlamentare dhe PD- LSI.
Më 14 dhjetor, Komisioni i Venecias dhe ODIHR shprehën keqardhje për miratimin e nxituar të ndryshimeve në kushtetuese dhe kodit zgjedhor por shtuan se përmbajtja e tyre nuk bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
Exitr argumentoi në një artikull se ndryshimet e miratuara trajtojnë vetëm disa prej shqetësimeve të ngritura nga OSBE/ODIHR gjatë 4 palë zgjedhjeve të fundit, por ato:
- Nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për praktikat e kudo ndodhura të blerjes së votës apo një hetim i pavarur i vjedhjes së zgjedhjeve në 2017 dhe 2019;
- Nuk departizojnë organet e administrimit zgjedhor;
- Nuk japin asnjë zgjidhje për kufizimet e moshës në listat e votimit, asnjë dhënie të të drejtës së votimit për personat me probleme mendore;
- Nuk rrisin transparencën duke u siguruar vëzhguesve të pavarur me protokollet e rezultateve;
- Nuk u shfuqizua ligji për shpifjen;
- Nuk u sigurua asnjë përfaqësim i balancuar gjinor në organet zgjedhore.