Pjesa më e madhe e buxhetit në Shqipëri mbahet nga taksat që rëndojnë shtresat e varfra në shoqëri, si TVSH-ja. Megjithatë diskutimi mbi taksat në fushatën elektorale në Shqipëri është përqendruar tek taksa mbi të ardhurat personale që përbëjnë vetëm 14% të buxhetit.
Ekonomisti Endrit Yzeiraj tha në emisionin “Me Pak Fjalë” se thelbi i diskutimeve mbi taksat në Shqipëri duhet të jetë “se si të transferojmë një pjesë të peshës që sot e mbajnë taksat e konsumit tek taksat e të ardhura personale”.
Që kjo të ndodhë “duhet të kemi një administratë tatimore më të aftë, duhet të kemi një shoqëri më transparente”, deklaroi Yzeiraj.
Ekonomisti tha se administrata tatimore në Shqipëri nuk është e aftë të mbledhë tatimet mbi të ardhurat personale për shkak të evazionit fiskal, korrupsionit dhe kapacitetet e administratës. Kjo ka bërë që qeveritë të zgjedhin mënyrën më të lehtë duke tatuar më shumë konsumin i cili mblidhet më thjeshtë por kjo krijon më shumë kosto për shtresat e varfra.
“Pra nuk mund të diskutojmë për progresivitet të sistemit tatimor kur kemi një pjesë të madhe të buxhetit që mbahet nga këto lloj taksash”, tha Yzeiraj.
Diskutimet mbi uljen sa më shumë të tatimeve mbi të ardhurat janë “të paplota” sipas tij “sepse nuk prekin problemet kryesore të buxhetit”.
Nëse buxheti i shtetit vijon të jetë i varur nga të ardhurat nga TVSH-ja, “nuk mund ti ulim taksat e tjera, sepse nuk do të kemi të ardhura në buxhet dhe nuk do të mund të realizojmë investimet publike por ndërkohë do të vazhdojmë të tatojmë shtresat e varfra”, shtoi Yzeiraj.