Kryeministri në ikje Zoran Zaev ka treguar se Bashkimi Evropian bllokoi modelin shqiptar të vetingut në Maqedoninë e Veriut.
Në një intervistë për A2, Zoti Zaev tha se e kishte pasur në program reformimin e sistemit të drejtësisë, por që BE kishte ndërhyrë duke thënë se si fillim duhej parë se si do të përfundonte procesi i ngjashëm në Shqipëri.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se nga Brukseli i qe thënë se Shkupi nuk i ka njerëzit e mjaftueshëm në drejtësi për një proces të ngjashëm:
“[…] na thanë se nuk kemi njerëzit e mjaftueshëm… nuk i plotësojmë dot vendet që mund të mbeten bosh”.
Procesi i vetingut në drejtësi është një nga elementët kryesorë të reformës që po ndërmerr Shqipëria në 3 vitet e fundit. Por mënyra se si po ecën ky proces, me shumë vonesa dhe në disa raste edhe me vendime të kontestuara, ka bërë që disa gjykata, si Gjykata Kushtetuese të mbeten pa anëtarë dhe të jenë jo-funksionale prej vitesh. Kjo është vënë në dukje edhe nga Zoti Zaev në një deklaratë të mëhershme:
“Shqipëria kaloi një proces të suksesshëm, por tani nuk ka kapacitete si t’i mbushë vendet e zbrazura dhe po funksionon pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, gjë që nuk lejohet.”
Kjo gjendje duket se e ka bërë BE-në që të mos e zbatojë të njëjtën reformë në Maqedoninë e Veriut.
“Me sistematizim (reformimin) në gjyqësor kemi 750 gjykatës, ndërsa realisht për momentin kemi 520, ndërsa nëse përmes një vetingu ndodhë që qindra mos ta kalojnë vetingun, ne nuk kemi si ti zëvendësojmë këto kuadro”.
Kryeministri Zaev, i cili pas moshapjes së negociatave dakordësoi me partitë opozitare vajtjen në zgjedhje të parakoshme vitin e ardhshëm, foli edhe për projektin e Mini-Schengen-it Ballkanik.
Zoti Zaev e cilësoi atë një projekt që mund t’i ushtrojë presion pozitiv BE-së për të parë me perspektivë ndryshe rajonin, por ai theksoi se Brukseli do që të shohë më shumë luftë ndaj korrupsionit.
“Brukseli do që të shohë më tepër luftë ndaj korrupsionit, se si ne i vlerësojmë taksat dhe kontributet e BE-së, se si investojmë në rrugë, autostrada… sepse ata (vendet e BE-së) kanë investuar shumë në rajon. Ne (përmes Mini-Schengen-it) duhet të bëjmë që të ketë impakt pozitiv në Bruksel.”ar