Zaev mbron agjendën “joetnike” të BDI-së, partitë opozitare e ironizojnë

Zaev mbron agjendën “joetnike” të BDI-së, partitë opozitare e ironizojnë

Kryeminsitri maqedonas Zoran Zaev përshëndeti përqafimin e agjendës së gjelbër nga ana e aleatit në qeverisje, partisë shqiptare të BDI-së.

Sipas një raportimi nga Alsat, ai u shpreh se i vinte mirë që “partia më e madhe shqiptare (BDI) mbylli agjendën etnike dhe tani është përqendruar te qytetari, me agjendën e saj të gjelbër”.

Zaev shtoi se nuk do të kishte më shqiptarë, maqedonas, serbë, vllehë, por qytetarë dhe se partitë e tjera të opozitës duhet të ndiqnin të njëjtin shembull.

Komenti erdhi pasi Bashkimi Demokratik për Integrim shpalli agjendën e gjelbër si një nga shtyllat e programit të saj për të ardhmen.

Kreu i saj, Ali Ahmeti, i quajti problemet etnike të kaluara pas përmbushjes së kritereve të Marrëveshjes së Ohrit.

Ne kemi vendosur barazi përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së paqes të Ohrit, legalizimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, decentralizimit, simboleve dhe kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, integrimit në NATO, duke marrë dritën jeshile për anëtarësimin në BE”, deklaroi Ahmeti në ceremoninë e festimit të 19 vjetorit të krijimit të BDI-së.

Por, ndërkohë, partitë e tjera opozitare shqiptare i kanë ironizuar këto deklarata.

Skënder Rexhepi,  kreu i partisë Alternativa ftoi të Zaev dhe Ahmetin të vizitojnë burgjet apo vendbanimet shqiptare për të parë se në cfarë mjerimi jetonin shqiptarët, pastaj të flisnin për tejkalim të problemeve etnike.

Papjekuria e BDI-së mundohet që gjithë atë dështim të zi ta mbulojë me një ngjyrë të gjelbër që është fatkeqësi” citohet të ketë thënë Rexhepi.

Mendim të njëjtë ndau edhe kreu i opozitës maqedonase VMNO DPMNE, Naum Sotilkovski që e quajti një “manipulim parazgjedhor”.

Me gjasë, tani e tutje, BDI do ta pengojë Merkon t’i vozisë veturat më të shtrenjta zyrtare në Maqedoni dhe do ta hypë në trotinet elektrik. Mbase BDI do ta urdhërojë këshilltarin në Ohër, që ka më së shumti ndërtime pa leje, të njëjtat t’i ndërtojë në mënyrë ekologjike,” deklaroi Sotilkovski për mediat.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>