Egjipti ka njoftuar zbulimin e një trualli të ri thesaresh në nekropolin Saqqara në jug të Kajros, duke përfshirë një tempull të lashtë funeralesh.
Ministria e turizmit dhe antikave tha se “zbulimet kryesore” të bëra nga një ekip arkeologësh përfshinë më shumë se 50 sarkofagë.
Sarkofagët prej druri, të cilët datojnë që nga periudha e Mbretërisë së Re – midis shekullit të 16-të dhe 11-të para Krishtit – u gjetën në 52 vend varrime në thellësi prej 10 deri në 12 metra.
Arkeologët thanë se tempulli funeral i Mbretëreshës Naert, gruaja e mbretit Teti, si dhe tre depo të bëra me tulla u gjetën gjithashtu në këtë zonë.
Saqqara ishte një nekropol i gjerë i kryeqytetit antik egjiptian të Memfisit që është një vend i trashëgimisë botërore të Unesco.
Në nëntor, Egjipti njoftoi zbulimin e më shumë se 100 sarkofagëve të paprekur, në zbulimin më të madh të tillë të vitit.
Arkivolët prej druri, të zbuluar së bashku me statujat e hyjnive antike, datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë dhe u përkisnin zyrtarëve të lartë të periudhës së vonë dhe periudhës ptolemaike të Egjiptit të lashtë.
Arekeologët tha se zbulimet e fundit mund të hedhin dritë të re mbi historinë e Saqqara gjatë Mbretërisë së Re. Zbulimi u bë pranë piramidës ku është varrosur mbreti Teti, faraoni i parë i dinastisë së gjashtë të Mbretërisë së Vjetër.
Egjipti shpreson që zbulimet arkeologjike do të nxisin turizmin, një sektor që ka duruar tronditje të shumta, nga kryengritjet e vitit 2011 deri në pandeminë e koronavirusit në vazhdim.