Zbulohen lidhje te reja të PS-së në çështjen e Nashi Shehapit, e akuzuar për dhunim të fëmijës

Nga Alice Elizabeth Taylor
Zbulohen lidhje te reja të PS-së në çështjen e Nashi Shehapit, e akuzuar për dhunim të fëmijës

Babai i prokurores Eriselda Bala, që po heton akuzat për rrahjen e një fëmijë nga drejtoresha e Kopshtit Nr.1 Nashi Shehapi, është kryetari i Partisë Socialiste në Fier.

Veprimet e prokurores Bala në çështjen ndaj mbledhëses së votave për Partisë Socialiste dhe drejtueses së kopshtit Nashi Shehapi janë konsideruar si “të çuditshme” dhe “në mënyrë të pazakontë në mbështetje” të Shehapit.

Shehapi akuzohet për rrahjen dhe mbylljen në një dollap poshtë shkallëve të një fëmije trevjeçar në Kopshtin Nr.1 në Tiranë. Kur u akuzua për këto, ajo deklaroi se kishte lidhje dhe mbrojtje politike dhe se çështja nuk do të përfundonte kurrë në gjykatë.

Gjithashtu, ajo dyshohet se kërcënoi punonjës të Kopshtit Nr.1 se do të humbisnin vendin e punës nëse flisnin kundër saj. Shehapi raportohet t’u ketë thënë prindërve të fëmijë se, nëse do të flisnin kundër saj, fëmijët e tyre do ta humbisnin vendin në kopësht.

Më pas, në regjistrime të paraqitura te Exit.al, punonjës të kopshtit pohojnë se “të gjithë e dinë që ajo e ka bërë këtë” dhe se “ajo i ka dhënë lekë prokurorisë”, duke pasur parasysh prokuroren Bala.

Punonjësit gjithashtu dëgjohen të thonë se kanë frikë të denoncojnë veprimet e Shehapit, pasi ajo mbrohet politikisht nga Partia Socialiste, dhe se kanë frikë nga pasojat e rënda për ta. Në biseda ata diskutojnë sesi Shehapin po e mbështesin persona si Zhaneta Beqiri dhe Klotilda Ferhati. Më pas Shehapi u fotografua me to gjatë fushatës elektorale të 30 qershorit.

Një burim pohoi për Exit.al se Shehapi ka punësuar një “sekser” dhe hetues privat, Marin Hoxhaj, për t’u siguruar që çështja të mos shkojë kurrë në gjykatë.

Në hetimet e saj për rastin, në tre muaj prokurorja Bala nuk pati ndonjë përparim. Më pas ajo i kërkoi gjykatës që çështja të mbyllej për mungesë provash. Gjyqtari i çështjes arriti në përfundimin se hetimet e Balës nuk kishin qenë të mjaftueshme dhe i përcolli atë për të hetuar më tej. Megjithatë, prokurorja Bala kërkoi sërish më vonë që çështja të mbyllet. Prindërit e fëmijës po përgatiten ta kundërshtojnë këtë kërkesë të prokurores përpara gjykatës.

Gjithashtu, prokurorja Bala nuk pranoi të takohej me prindërit e fëmijës, kur ata kërkuan informacion për çështjen, gjë që ajo e ka detyrim ligjor. U desh ndërhyrja e njërit prej kolegëve të saj, i cili e quajti Balën “të paarsyeshme”, që ajo të takohej me prindërit.

Tani rezulton se i ati i Balës mban postin e rëndësishëm të kryetarit të Partisë Socialiste në Fier.

Kështu, lidhjet politike në çështjen ndaj Shehapit vazhdojnë të shtohen, tashmë me babanë e prokurores në pozita të fuqishme politike, që i shtohen faktit se Shehapi është grumbulluese votash për PS-në, se vajza e saj punon në Bashkinë e Tiranës, dhe se Shehapi vetë është fotografuar në fushatën e PS-së pranë personave që do të duhej ta disiplinonin atë.

Përveç kësaj, bashkëshorti i prokurores Bala punon si polic në Tiranë, pra i punësuar nga qeveria, dhe me mundësi për të pasur akses te hetimet e policisë.

Babai i fëmijës është anëtar aktiv i Partisë Demokratike dhe xhaxhai i fëmijës është gjithashtu një anëtar i PD-së, i cili së fundmi u burgos në mënyrë arbitrare për pesë muaj dhe u lirua pa asnjë akuzë kundër tij. Kur Shehapi u akuzua për herë të parë për abuzim ndaj fëmijës, ajo u mbrojt menjëherë me argumentin se po e akuzonin për arsye politike, dhe jo për faktin se fëmija kishte shenja në krah, ishte traumatizuar, dhe ende sot pohon se Nashi e dhunoi atëherë.

Avokati që përfaqëson fëmijën dhe familjen pohoi se ai “nuk kishte parë kurrë një prokuror të përpiqej të mbronte të akuzuarin kaq shumë sa në këtë rast”.

Gjithashtu, avokati i konsideroi veprimet e prokurores si joprofesionale, të çuditshme dhe të pazakonta, duke komentuar faktin se Shehapi nuk kishte punësuar një avokat deri më tani, por përkundrazi, paraqitet e vetme në seancat paraprake.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>