Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano sqaroi se ndryshimet kushtetuese vlejnë dhe për Kosovën dhe Serbinë.
Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Stano u shpreh se ka patur një keqkuptim mbi atë çfarë ka thënë Lajçak.
“Në këtë rast, është thënë ajo çka është e qartë – dhe zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”
I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak ndezi reagime të forta në Kosovë pas deklaratës së tij se Kushtetuta e Kosovës “nuk është Bibël” dhe ajo duhet të ndryshojë.