Zëdhënësi i të dërguerit të Posaçëm të SHBA-ve për bisedimet Kosovë-Serbi përgënjeshtroi lajmin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) se SHBA-të do të kushtëzojnë investimet e saj nëse nuk hiqet taksa ndaj mallrave serbe.
Dick Custin, zëdhënës i Richard Grenell, i tha Zërit të Amerikës (VOA) se ambasadori Grenell nuk ka thënë kurrë se “SHBA-të do të anulojnë projektet dhe investimet deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.
RTK raportoi të marten se ambasadori Grenell kishte komunikuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe kryetaren e Parlamentit Vjosa Osmani rreth çështjes së tarifave ndaj mallrave serbe e boshnjake. RTK thoshte duke cituar burime të saj se Grenell “ua ka bërë të qartë se SHBA-të janë të gatshme të bëjnë investime miliona dollarëshe në Kosovë, nëse hiqen tarifat. Megjithëkëtë ajo do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.
Zëdhënësi Custin tha për VOA se Grenell nuk ka thënë kurrë një gjë të tillë. Ai u shpreh se
“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë mesazh të keq sektorit privat, se Kosova nuk është vend për të bërë biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë afaristë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po i dëmtojnë ata. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato “si masa të reciprocitetit” gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”.
Më herët në një postim në Twitter ambasadori Grenell theksoi se “është thelbësore që të hiqet taksa në mënyrë që investimet të bëhen”.
Ai i bëri këto komente në përgjigje të një postimi po në Twitter të Petrit Selimi, shef ekzekutiv i programit për Kosovën i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, i cili qe shprehur në lidhje me investimet e kësaj korporate në Kosovë.
Prej vitit 2018 Kosova i ka vënë taksë 100 për qind mallrave serbe dhe boshnjake. Kjo masë u pa si përgjigjie nga qeveria e Ramush Haradinajt ndaj politikave bllokuese që po ndërmerrte Serbia, mirëpo pas vendosjes së taksës Presidenti Aleksandar Vuçiç ndërpreu bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Prej 2 vitesh ndërkombëtarët janë përpjekur të ndërmjetësojnë rinisjen e dialogut. I dërguari i posaçëm nga SHBA-të, Grenell, ndërmjetësoi javë më parë disa marrëveshje për lëvizjen ajërore dhe hekurudhore mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo u pa si nisje e mirë për të zbutur qëndrimet. Në vizitat që Grenell pati në Prishtinë dhe Beograd ai kërkoi heqjen e taksës dhe po kështu tërheqjen e Serbisë nga politikat bllokuese.
Me te marrë detyren si Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se do ta zëvendësojë taksën me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”.
Heqja është kundërshtuar nga ish-partitë e koalicionit qeverisës PDK dhe AAK. Veseli dhe Haradinaj i kanë bëri thirrje qeverisë së Vetëvendosjes dhe LDK-së të mos bëjnë manovra me taksën dhe te mos kalohet në reciprocitet pa njohje të pavarësisë.