Zëdhënësi i Grenell përgënjeshtron RTK-në: nuk ka kushtëzim amerikan ndaj Kosovës

Nga Exit News
Zëdhënësi i Grenell përgënjeshtron RTK-në: nuk ka kushtëzim amerikan ndaj Kosovës

Zëdhënësi i të dërguerit të Posaçëm të SHBA-ve për bisedimet Kosovë-Serbi përgënjeshtroi lajmin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) se SHBA-të do të kushtëzojnë investimet e saj nëse nuk hiqet taksa ndaj mallrave serbe.

Dick Custin, zëdhënës i Richard Grenell, i tha Zërit të Amerikës (VOA) se ambasadori Grenell nuk ka thënë kurrë se “SHBA-të do të anulojnë projektet dhe investimet deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.

RTK raportoi të marten se ambasadori Grenell kishte komunikuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe kryetaren e Parlamentit Vjosa Osmani rreth çështjes së tarifave ndaj mallrave serbe e boshnjake. RTK thoshte duke cituar burime të saj se Grenell “ua ka bërë të qartë se SHBA-të janë të gatshme të bëjnë investime miliona dollarëshe në Kosovë, nëse hiqen tarifat. Megjithëkëtë ajo do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.

Zëdhënësi Custin tha për VOA se Grenell nuk ka thënë kurrë një gjë të tillë. Ai u shpreh se

“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë mesazh të keq sektorit privat, se Kosova nuk është vend për të bërë biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë afaristë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po i dëmtojnë ata. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato “si masa të reciprocitetit” gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”.

Më herët në një postim në Twitter ambasadori Grenell theksoi se “është thelbësore që të hiqet taksa në mënyrë që investimet të bëhen”.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një postimi po në Twitter të Petrit Selimi, shef ekzekutiv i programit për Kosovën i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, i cili qe shprehur në lidhje me investimet e kësaj korporate në Kosovë.

Prej vitit 2018 Kosova i ka vënë taksë 100 për qind mallrave serbe dhe boshnjake. Kjo masë u pa si përgjigjie nga qeveria e Ramush Haradinajt ndaj politikave bllokuese që po ndërmerrte Serbia, mirëpo pas vendosjes së taksës Presidenti Aleksandar Vuçiç ndërpreu bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Prej 2 vitesh ndërkombëtarët janë përpjekur të ndërmjetësojnë rinisjen e dialogut. I dërguari i posaçëm nga SHBA-të, Grenell, ndërmjetësoi javë më parë disa marrëveshje për lëvizjen ajërore dhe hekurudhore mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo u pa si nisje e mirë për të zbutur qëndrimet. Në vizitat që Grenell pati në Prishtinë dhe Beograd ai kërkoi heqjen e taksës dhe po kështu tërheqjen e Serbisë nga politikat bllokuese.

Me te marrë detyren si Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se do ta zëvendësojë taksën me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”.

Heqja është kundërshtuar nga ish-partitë e koalicionit qeverisës PDK dhe AAK. Veseli dhe Haradinaj i kanë bëri thirrje qeverisë së Vetëvendosjes dhe LDK-së të mos bëjnë manovra me taksën dhe te mos kalohet në reciprocitet pa njohje të pavarësisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>