
Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi deklaroi se largimi i Ardian Dvoranit nuk mund të bllokojë aktivitetin e Këshillit të Emërimit në Drejtësi. Në një postim në faqen zyrtare të Presidentit ai u shpreh se ligji përcakton se Dvorani do të zëvendoshet nga anëtari me moshë më të vjetër nga Gjykata e Kushtetuese.
Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.
Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”.
Rreth 4 javë më parë, Presidenti Meta paditi Adrian Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore” dhe prokuroria ka nisur hetimin bazuar në denoncimin. Prokuroria ka marrë dëshminë e vetë Presidentit Meta në lidhje më çështjen dhe Ardian Dvoranin.
Sipas ligjit, zoti Dvorani nuk mund të vijojë të jetë pjesë dhe kryesojë KED-in, nëse ai ndodhet nën hetim për kryerjen e një vepre penale.