Kryeministri Edi Rama mund të ketë zhgënjyer shumë njerëz, që vendosën të mos i hidhnin automatikisht poshtë vlerësimet e tij të jashtëzakonshme për zotin Gent Cakaj, të cilin zgjodhi ta bënte zëvëndësin e tij në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ).
Në përpjekjet e tij publike kundër dyshuesve dhe Presidentit Meta, që deri në fund nuk e dekretoi ministër, Rama jo vetëm këmbëngulte se Cakaj e meritonte postin, por gati-gati të bënte të besoje se vetë posti nuk ishte aq i denjë për Cakajn. Aq i lexuar, i ditur dhe i zoti qenkësh ky njeri!
Leximet, dijet dhe zotësinë, Cakaj i vuri në punë që me nisjen e detyrës, duke shfaqur dy qëllime.
Qëllimi i parë: të përcillte idenë se ai po transformonte diplomacinë shqiptare. Cakaj u përpoq të fshinte gjurmë të paraardhësit, duke larguar njerëz nga puna dhe duke denoncuar si të gabuara dukuri të caktuara që vërejti në MEPJ.
Reformat e Cakajt arritën tri gjëra: heqjen nga puna të disa personave, heqjen e targave diplomatike nga makinat e konsujve të nderit, dhe heqjen e pasaportave diplomatike apo të shërbimit për disa persona.
Këto janë masa të një administratori të rëndomtë, që përpiqet të vendosë autoritetin përmes frikës dhe zhbërjes. Ato janë shumë larg një vizioni apo punës së pritshme nga MEPJ për realizimin e synimeve të diplomacisë së Shqipërisë, sidomos atyre afatshkurtra – përparimi në integrimin në BE dhe puna e suksesshme në drejtimin e OSBE-së gjatë vitit 2020.
Qëllimi i dytë i përpjekjeve publike të Cakajt: t’i bënte vend në opinionin publik figurës së tij politike, dhe të mposhtte efektet e goditjeve nën e mbi brez, profesionale e personale, atyre të justifikuara e të tjerave të pamerituara. Daljet e shpeshta në publik, toni i përforcuar i zërit, vendosmëria, gjestet, gjuha e ngarkuar me terma shkencore dhe me fjali të përbëra priteshin të jepnin efekt për këtë qëllim.
Tetë muaj pasi Rama i dha atij detyrën, puna e Cakajt tregon se ai ka dështuar në të dyja këto qëllime, që thelbësisht kishin gjithsesi natyrë personale. Cakaj nuk ka arritur të bindë njeri se po kryen ndonjë reformë, dhe figura e tij politike nuk është forcuar.
Përkundrazi, Cakaj ka krijuar imazhin e një personi të nënshtruar dhe të zellshëm, i cili ka pranuar të bëhet goja e shefit të tij për t’u tallur me shqiptarët duke u “zbërthyer” atyre raporte të institucioneve të huaja.
Është hera e parë në historinë e vendit që praktikisht krijohet një portofol zëvendësministri në MEPJ për zbërthim raportesh të huaja për publikun e brendshëm.
Në dy ndër shfaqjet e tij kryesore publike, me gjasa më të nguliturat te publiku, Rama e nxori Cakajn t’u “zbërthente” shqiptarëve raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për drogën dhe krimin në Shqipëri, si dhe, sot, raportin e OSBE-së për zgjedhjet e 30 qershorit.
Cakaj u shpjegoi shqiptarëve me bindje, zë të lartë dhe vetësiguri se e zeza në raporte ishte në fakt e bardhë. Në mënyrë qesharake dhe paradoksale, ai “zbërtheu” raportet për popullin e thjeshtë, duke përdorur një gjuhë shumë më të vështirë se origjinali dhe plot me terma kërkuesi të shkencave sociale.
Rama dhe Cakaj e dinë shumë mirë se kjo gjuhë nuk e thjeshton fare të kuptuarit e raporteve, qoftë edhe sipas pikëpamjes së qeverisë. Përkundrazi.
Por synimi është pikërisht që Cakaj të mos kuptohet nga masa; mjafton të krijohet përshtypja se qeveria po reagon me forcë kundër opozitës, e cila vazhdon të dëmtojë Shqipërinë, sidomos në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ata pak njerëz që për kureshtje mund të përqendrohen te propaganda qeveritare në gojën e zellshme të Cakajt, e pikasin lehtë se çfarë talljeje me inteligjencën dhe sa qesharake dhe e pavërtetë është përmbajtja e saj.
Pranimi dhe zbatimi me zell i detyrës për zbardhjen e të zezave në raportet kritike, siç ka bërë Cakaj, në mos dëshmoftë një inteligjencë të dyshimtë, kërkon me siguri një dinjitet të lëkundur.
Një dinjitet i tillë nuk mund të përputhet me karakterin e një njeriu të ditur, aq më tepër të një njeriu të mbrujtur me filozofi kantiane.
Është qartësisht e pamoralshme të marrësh përsipër, me vetëdije të plotë, që të mashtrosh shqiptarët, madje për fakte themelore, si ato të thëna qartë në dy raportet për drogën e krimin dhe për demokracinë e cunguar nga zgjedhjet njëpartiake.
Cakaj nuk do të guxonte kurrë ta “zbërthente” e ta “zbardhte” në të njëjtën mënyrë raportin e DASH përpara një audience me punonjës të administratës amerikane. Ai nuk do të guxonte kurrë t’u thoshte atyre se fjalia “Shqipëria është kthyer në bazë për krimin e organizuar që vepron në Evropë, Amerikë të Jugut dhe të Veriut” në fakt do të thotë se “Qeveria shqiptare i ka luftuar me prioritet përpjekjet për ta kthyer Shqipërinë në bazë për krimin e organizuar që vepron në Evropë, Amerikë të Jugut dhe të Veriut”.
Ai nuk do të guxonte kurrë ta “zbërthente” e ta “zbardhte” raportin për zgjedhjet në Konferencën Mesdhetare me 57 vende të OSBE-së muajin tjetër në Tiranë. Ai nuk do të guxonte kurrë t’i shpallte administratës së OSBE-së dhe pjesëmarrësve se raporti për zgjedhjet në fakt fajëson opozitën për ato pak probleme që ka vërejtur.
Ndërkohë, ama, me lehtësinë më të madhe dhe me vetëdije Cakaj u “zbardh” qytetarëve shqiptarë këto dhe shumë të pavërteta të tjera të “zbërthimit” të raporteve kritike ndaj qeverisë.
Numri i librave që ka lexuar Cakaj në jetë është informacion krejtësisht i painteres për publikun, por mënyra e të lexuarit, të kuptuarit dhe të shprehurit e zëvendësministrit Cakaj, siç shfaqen në rastin e raporteve, janë zhgënjyese, të pamoralshme dhe shqetësuese për diplomacinë e vendit.
Duket se edhe librat e panumërta, që pretendon Rama, Cakaj i ka lexuar siç lexon në publik raportet kritike ndaj qeverisë. Përndryshe ai do të kishte mësuar se njerëzit e dallojnë gjithsesi të zezën nga e bardha.
Në këto tetë muaj në detyrë, Cakaj nuk i ka përmbushur pritmëritë e ndokujt dhe përbetimet e Kryeministrit Rama se kishte zgjedhur një njeri të lexuar, të ditur dhe të mençur për këtë post. Deri tani Cakaj na ka treguar vetëm se është i aftë t’i nënshtrohet kërkesave dhe nevojave të shefit të tij. Ai na ka tregur se ka zgjedhur me zell të jetë goja e të pavërtetave për të mbrojtur Ramën, teksa ky shkel mbi vlerat themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe mbi vetë dinjitetin e njeriut Gent Cakaj.