Zëri i Amerikës denoncon emërimet politike në administratë, Rama: Media kazani

Zëri i Amerikës denoncon emërimet politike në administratë, Rama: Media kazani

Zëri i Amerikës ka bërë publike përgjimet e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko që ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

Gjatë telefonatave të Çukos, i cili përgjohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, zbulohet se punësimet dhe transferimet e punonjësve në Drejtorinë e Burgjeve bëheshin përmes ndërhyrjvr politike.

Zëri i Amerikës shkruan:

Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.

Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.

“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur.

Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga pranoi bisedën telefonike gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndërsa shpjegoi se kishte ndërmjetësuar për rastin pas një kërkese për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës.

Thëniet e saj u konfirmuan edhe nga Motër Tereza Maria e misionit me qendër në Tiranë, e cila pohoi se i kishte transmetuar Bizhgës një kërkesë për ndihmë gjatë një takimi në Kryeministri, të cilin e quajti privat.

Zyra e shtypit e Kryeministrit nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi ndërhyrjet për punësime në burgje deri në botimin e këtij shkrimi.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm.

Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë janë përgjuar ndërsa shëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime apo transferime nisur nga lidhjet partiake apo personale, dhe jo mbi bazën e meritës.

Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë apo njerëzit e lidhur me pushtetin-një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri.

Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë.

Komunikimet e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tregojnë se deputeti socialist, Ulsi Manja i kërkonte Çukos transferimin e një punonjësi të policisë së burgjeve nga Kruja në Tiranë dhe një çështje të ngjashme diskuton edhe deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu.

Blerina Gjylameti përmendet në një bisedë të Çukos me një person të tretë për ndërhyrjen në punësimin e një personi të lidhur me Partinë Socialiste, ndërsa Paulin Sterkaj ankohet për transferimin e një policeje me origjinë nga Tropoja, nga burgu 313 te “Ali Demi”.

Zonja Spahiu, deputete e qytetit të Durrësit shpjegoi se e kishte telefonuar Çukon për një rast, që sipas saj ishte transferuar politikisht nga Durrësi.

“Ai ishte me prindër të sëmurë dhe punonte shumë larg banesës së tij. Ai kërkonte të drejtën e tij, pasi ishte transferuar vetëm për shkak të bindjeve të majta,” tha Spahiu duke shtuar se nuk është e sigurtë nëse transferimi u bë.

Edhe zoti Sterkaj pohoi se i ishte drejtuar Çukos për t’i përcjellë një ankesë mbi transferimin e padrejtë të një punonjëseje të policisë së burgjeve.

“Sa herë marr ndonjë ankesë, unë reagoj sa është e mundur. Pastaj është çështje e institucioneve nëse veprojnë ose jo,” tha zoti Sterkaj, duke shtuar se punonjësja në fjalë ishte edhe “e djathtë”.

“Unë shqetësohem për hallet e njerëzve sa herë shoh padrejtësi, pa pyetur nëse janë të majtë ose të djathtë. Ne kaq kemi në dorë, se të tjerat i ka kryeministri,” shtoi më tej Sterkaj.

Deputetja Gjylameti tha se nuk komentonte “çështje që janë në hetim nga Prokuroria”.

Njësoj u përgjigj edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Nuk mund të komentoj të dhëna të dala nga një hetim penal në proces, që përbën sekret hetimor përsa kohë nuk janë shprehur organet kompetente,” tha Manja.

Përgjimet nxjerrin gjithashtu në pah manovrat e kryera me konkurset publike , ku rezultatet manipulohen për të favorizuar kandidatët e servirur përmes kanaleve partiake. Në përgjigje të një kërkese për të punësuar një person të lidhur me Partinë Socialiste, Çuko shpjegon se si do ta nxirrte atë fitues.

“Do bëjmë dhe procedurën gjasme fitoi kjo, humbën këta të tjerët. Më kanë ardhur 217 veta, gjasme me konkursin e famshëm publik,” thotë ai.

Po ashtu, një konkurs publik për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët e Partisë Socialiste dhe njerëzit e lidhur me pushtetin.

Konkursi publik për policë të rolit bazë u shpall në fund të marsit të kaluar dhe synonte të rekrutonte mbi 250 punonjës për 17 institucione të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Testimi u krye më 3 prill dhe thirrjes iu përgjigjën mbi 1300 kandidatë.

Por përtej fasadës, ish-drejtori Çuko ankohej në mesin e muajit prill se fituesit ishin bllokuar nga kryeministri dhe se të gjithë kandidatët u përkisnin listave të Partisë.

“O Gerti, gjithçka është e bllokuar nga kryeministri dhe nuk e di kur do të zhbllokohen,” thoshte Çuko më 14 prill. “Unë pres që nesër pasnesër të më thotë sa veta do fusësh nga 1 te 250. Unë s’e di ç’do të thotë ai tani,” shtohet aty.

“Ki parasysh që Lushnja nuk ka asnjë vend bosh, Fieri ka 20 vende dhe kanë sjellë 200 veta. Testimi këtë herë u bë me 1358 veta dhe të gjithë ishin listat e partisë. E kishin të qartë ata, hajt se po i fusim në burgje,” shprehet Çuko sipas transkriptit të bisedës.

Reagimi i Kryeministrit Rama

Menjëherë pas publikimit të artikullit, Krryeministri Rama reagoi duke sulmuar Zërin e Amerikës:

“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie.

Shkoni verifikoni dokumentat e konkursit e ballafaqoni rezultatet me rekrutimet, pastaj hidhni baltë sa të doni! U kujtuat për emërimet partiake në administratë, pas 30 vjetësh dhe duke sulmuar ultësisht, e aspak gazetarisht, pikërisht ata që po bëjnë çmos t’i vënë fre zullumit.”

Gjatë vitin 2018, një raport i hartuar nga SIGMA, nisëm e BE-së dhe  Forumit për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) për monitorimin e ecurisë së reformës në administratën publike zbuloi se emërimet në administratën publike shqiptare nuk bazohen në meritokraci, por në procedura të dyshimta.


Artikullin e plotë të Zërit të Amerikës mund ta lexoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>