Zëri i Amerikës: Institucionet shqiptare favorizuan kompaninë guackë DH Albania

Zëri i Amerikës: Institucionet shqiptare favorizuan kompaninë guackë DH Albania

Zëri i Amerikës ka zbuluar të tjera informacione për skandalin e tenderit 18 milionë Euro të Unazës së Madhe, fituar nga kompania guackë DH Albania, me dokumente të falsifikuara.

Dokumentet e reja vërtetojnë se administrata shqiptare ka ndihmuar kompaninë DH Albania për marrjen e licencës së ndërtimit në zbatim, duke nisur procedurat, përpara se vetë kompania të regjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Zëri i Amerikës shkruan:

“Sipas një përgjigjeje zyrtare, që Ministria e Infrastrukturës i ktheu kërkesës për informacion nga Zëri i Amerikës, rezulton se “Shoqëria DH-ALBANIA, degë e shoqërisë së huaj, me kërkesën e saj të datës 13.07.2018, shoqëruar me dokumentacion përkatës, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim”.

Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria DH Albania ishte ende inekzistente. Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte. Sikundër është e paqartë, se çfarë dokumetacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si DH Albania, duke qenë se e ka patur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Komisioni i Licencave, i cili drejtohet nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka në përbërjen e tij dhe tre drejtorë të Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjitikës. Bazuar në afatet kohore të ushtrimit të aktivitetit të tij, të publikuara deri pak ditë më parë në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës “dokumentacioni i shoqëruar me material përmbledhës të hartuar nga sekretariati teknik, i vihet në dispozicion anëtarëve të Komisionit 3 ditë pune përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e mbledhjes”.

Licenca për DH Albania është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik, e cila ka qenë ditë e hënë. Për pasojë, dokumentacioni për të, do të duhej t’i dorëzohej Komisionit, të paktën më 25 korrik. Por sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, DH Albania, i ka plotësuar dokumentat vetëm më 27 Korrik.

Shkeljet në favor të DH Albania, bëjnë të mendosh se Komisioni e ka patur të qartë se nuk po ndihmonte thjesht të riun Avdjol Dobi, por njerëzit real që qëndrojnë pas kësaj kompanie. Një seri të dhënash ngrejnë dyshime të forta që të çojnë tek biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Që nga lidhjet familjare mes të dyve, të fakti se punonjës së kompanisë Gener 2, të zotit Ulaj janë angazhuar në plotësimin e dokumentacionit të DH Albania-s e deri te pagesa që GENER 2, siç dëshmoi një investigim i BIRN-it, ka bërë për llogari të kësaj kompanie.

Prokuroria e cila po heton si për veprat penale të falsifikimit ashtu dhe për atë të shpërdorimit të detyrës, nga ana e institucioneve të përfshira, nuk ka mundur ende të thërrasë Avdjol Dobin i cili, të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>